Aktualitet Sekuestrohen 6 prona të Habilajve në Vlorë

Sekuestrohen 6 prona të Habilajve në Vlorë

Gjashtë prona të vëllezërve Habilaj në Vlorë janë sekuestruar nga Seksioni i Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj grupit kriminal të trafikut të drogës.

Policia bën me dije se pronat e sekuestruara janë në pronësi të Artan Habilaj, Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj, të cilët dyshohen se kanë pastruar paratë e veprimtarisë kriminale. Vendimi për sekuestron preventive të pronave është dhënë nga Gjykata e Vlorës më 30 Tetor.

Pronat e sekuestruara janë:

-Njësi Shërbimi me sipërfaqe 157 m2, ndodhur ne lagjen ”28 Nëntori”, Vlorë, në pronësi të shoqërisë Turi&Mzb shpk dhe Florian Habilaj.

-Njësi shërbimi me sipërfaqe 136 m2, në lagjen ”29 Nëntori”, Vlorë, në pronësi të shtetasit Florian Habilaj.

-Apartament banimi në Vlorë, në pronësi të shtetasit Artan Habilaj.

-Apartament banimi me sipërfaqe 69 m2 , në lagjen ”Uji i Ftohtë”, në pronësi të K.H.

-Apartament banimi me  sipërfaqe 104.5 m2 në Vlorë, në pronësi të shtetasit F.M.

-Njësi shërbimi dhe banimi, me sipërfaqe 156 m2, në Vlorë, në pronësi të shtetasit Artan Habilaj.

Vijon puna per evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që kanë buruar nga aktiviteti kriminal.

Vëllezërit Habilaj dyshohet se kanë përfituar pasuri të paligjshme nga trafiku i drogës dhe armëve në Itali.

Moisi Habilaj ndodhet i arrestuar nga autoritetet italiane, ndërsa vëllai i tij Florian Habilaj është i shpallur në kërkim.