Bota Senati miraton emërimin e Amy Coney Barrett në Gjykatën e Lartë

Senati miraton emërimin e Amy Coney Barrett në Gjykatën e Lartë

Me 52 vota pro dhe 48 vota kundër Senati amerikan ka konfirmuar gjyqtaren Amy Coney Barrett në Gjykatën e Lartë, duke shënuar një fitore për Presidentin Donald Trump një javë para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

48-vjeçarja u emërua në zyrën e Shtëpisë së Bardhë në prani të presidentit Trump.

Emërimi i saj vulos një shumicë konservatore 6-3 në organin e lartë gjyqësor të SHBA.

Vetëm senatorja republikane nga shteti Mejn, Susan Collins iu bashkua të gjithë demokratëve të Senatit që votuan kundër emërimit të zonjës Barrett. Senatorja Collins tha se nuk do të votonte për emërimin e Gjyqtares Barrett për shkak të momentit të zhvillimit të këtij votimi, kur mbeten tetë ditë deri në zgjedhjet presidenciale.

Zonja Barrett është e treta anëtare e Gjykatës së Lartë e emëruar nga Presidenti Donald Trump, që ndikon fuqimisht në balancën ideologjike të gjykatës më të lartë në vend.