Kosova Serbët djegin Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, reagon ministri Sveçla: Akte terroriste

Serbët djegin Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, reagon ministri Sveçla: Akte terroriste

Qendra e Regjistrimit në Zubin Potok është djegur nga serbët të cilët nuk po e pranojnë reciprocitetin për targat.

Po ashtu burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se serbët kanë hedhur granata dore edhe në Qendrën e Regjistrimit në Zveçan, por që nuk kanë arritur ta djegin. Policia ka shkuar në vendngjarje, teksa raportohet për tensionim të situatës.

Serbët kanë paralajmëruar edhe djegien e Qendrës së Regjistrimit në Leposaviq.

Lajmin e ka konfirmuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili i ka vlerësuar si akte kriminale dhe terroriste sulmet në këto qendra.

Përmes një statusi në Facebook, Sveçla ka ftuar qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve.

Statusi i plotë i ministrit Xhelal Sveçla:

Sot ora 01:00 pas mesnate, nga një akt kriminal me elemente terroriste të shkaktuar nga persona të dyshimtë është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok. Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe së shpejti do të kemi më shumë informata. Po ashtu, është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes. Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri. Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj angazhohet për rend, siguri dhe sundim të ligjit dhe është garant i vendimeve sovrane të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkundër veprimeve të tilla do të vazhdoj me angazhim të plotë në zbatimin e vendimit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ftojmë qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve.