Bota Serbia mban zgjedhjet e para në Europë pas pandemisë, sondazhet nxjerrin fitues...

Serbia mban zgjedhjet e para në Europë pas pandemisë, sondazhet nxjerrin fitues Vuçiç

Serbia është shteti i parë në Evropë që pas periudhës së izolimit 3 mujor këtë të diel zhvillon zgjedhjet e përgjithshme.

Hija e pandemisë është ndierë edhe në këto zgjedhje me fushata të reduktuara elektorale, por edhe qytetarë që iu drejtohen kutive të votimit duke mbajtur maska e duke respektuar distancën sociale. Por cilat janë parashikimet për këto zgjedhje të karakterizuara edhe nga bojkoti i nëntë partive opozitare?

Sipas sondazheve të realizuar në ditët e fundit, Partia Progresive e presidentit Aleksandër Vuçiç pritet të fitojë më shumë se 50 % të votave. Sipas perceptimit të votuesve, sondazhet tregojnë se qeveria ka trajtuar në mënyrë efektive krizën e shkaktuar nga pandemia dhe është përpjekur të lehtësojnë ndikimin e saj në ekonomi.

Partia Socialiste, në koalicion me Vuçiç pritet të dalë partia e dytë në zgjedhje me rreth 10 % të votave, ndërsa një parti e qendrës së djathtë e opozitës e udhëhequr nga Aleksandar Sapic, kryetar i një komune të Beogradit, mendohet të dalë i treti. Duket se shumë qytetarë i besojnë udhëheqjes së Vuçiç.

“Do të votoj Aleksandër Vuçiç, nëse do të kisha 1000 vota do t’ia jepja. Unë jetoj jashtë dhe e di se si ka qenë vendi më parë dhe si është tani”, thotë një qytetar.

Ndërsa nëntë parti opozitare kanë krijuar një Aleancë duke bojkotuar zgjedhjet e së dielës, e madje duke iu kërkuar qytetarëve të mos marrin pjesë në zgjedhje, të cilat sipas tyre nuk do të jenë zgjedhje të lira e të ndershme për shkak për shkak të kontrollit të fortë të Vuçiç në proces e në media. Ata gjithashtu akuzojnë Vuçiç, për përdorimin e pozitës si president për të promovuar partinë e tij.

Drejtori ekzekutiv i qendrës për zgjedhje të lira e demokratike Bojan Klacar shprehet se nga këto zgjedhjet nuk priten ndryshme të mëdha politike

“Nuk mund të presim ndryshime të mëdha politike. Ne mund të presim një përbërje të ndryshme të parlamentit dhe që partitë opozitare të kërkojnë marrëveshje të ndryshme politike për zgjedhjet presidenciale. Kjo mund të ndodhë në dy nivele: njëra është forcimi i partive që do të hyjnë në parlament dhe tjetra – në rast të suksesit të bojkotimit – që palët që mbrojnë bojkotin të forcohen. Në të dy rastet, megjithatë, opozita do të duhet të gjejë një drejtues të ri”, thotë ai.