Bota SHBA do të ekzekutojë për herë me azot një të dënuar me...

SHBA do të ekzekutojë për herë me azot një të dënuar me vdekje, OKB: Mund të jetë torturë, ndalojeni

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut i bëri thirrje sot shtetit amerikan të Alabamës që të ndalojë ekzekutimin e parë të planifikuar të të dënuarve me vdekje nga asfiksimi me nitrogjen dhe paralajmëroi se një metodë e tillë mund të përbëjë torturë dhe shkelje të detyrimeve të SHBA-së sipas ligjit ndërkombëtar.

Ekzekutimi i Kenneth Smith, i dënuar për vrasje në vitin 1988, është planifikuar për më 25 janar, dhe planet janë që të përdoret një metodë gjatë së cilës një maskë e lidhur me një cilindër azoti do t’i vendoset mbi fytyrën e tij për t’i privuar atij oksigjenin, raporton Reuters.

“Ne jemi shumë të shqetësuar se ekzekutimi i Smith në këto rrethana mund të çojë në një shkelje të ndalimit të torturës ose trajtimeve ose dënimeve të tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese, si dhe të drejtën e tij për një zgjidhje efektive”, tha zëdhënësja e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani.

Ajo theksoi se këto të drejta janë të renditura në dy traktate ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat i detyrojnë SHBA-të, raporton Reuters. Shamdasani shprehu shqetësimin se protokolli i Alabamës nuk parashikon qetësim para ekzekutimit.

Metoda e re e ekzekutimit në Alabama

Një gjykatës federal i qarkut ka dhënë miratimin për ekzekutimin e parë duke përdorur azot, duke shënuar një moment historik për sistemin e drejtësisë në Shtetet e Bashkuara.

Vendimi do të thotë se Kenneth Eugene Smith, një i dënuar nga Alabama, do të dënohet me vdekje me metodën e re më 25 janar – megjithëse avokati i tij e ka apeluar vendimin, raporton Associated Press.

Gjykatësi R. Austin Huffaker mohoi kërkesën e Smith për një urdhër ndalimi të përkohshëm për të ndaluar ekzekutimin e tij të planifikuar më vonë këtë muaj dhe avokati i tij argumentoi se Alabama po përpiqet ta bëjë Smith një “subjekt testimi” kur bëhet fjalë për metodën aktuale të ekzekutimit.

Sipas planeve aktuale të paraqitura nga shteti i Alabamës, një respirator do të vendosej mbi hundën dhe gojën e Smithit për të zëvendësuar të gjithë ajrin e thithur me gaz azot.

Kjo përfundimisht do të çojë në mbytjen e Smithit.

Në një seancë gjyqësore në dhjetor, Zyra e Prokurorit të SHBA tha se metoda “do të nxiste pavetëdijen brenda pak sekondave dhe do të shkaktonte vdekjen brenda disa minutave”, siç raportohet nga Associated Press.

Pas marrjes së vendimit të fundit, Huffaker pranoi se vendimi i tij nënkuptonte se “Smithit nuk i garantohet një vdekje pa dhimbje”.

“Megjithëse Smith i ka shpëtuar dënimit ligjor për më shumë se 35 vjet, rrëzimi i pretendimeve spekulative të Smith heq një pengesë që drejtësia të vihet më në fund,” shtoi në një deklaratë Steve Marshall, një avokat nga Alabama.

Smith u dënua për herë të parë për vrasje dhe u dënua me vdekje në 1988 dhe përsëri në 1996.

Ai vrau për llogari të Charles Sennett, pastor i Kishës Westside të Krishtit në Sheffield, Alabama, në vitin 1988, i cili dyshohet se donte që gruaja e tij Elizabeth të vritej në këmbim të një police të madhe sigurimi.

Smith dhe shoku i tij John Parker morën secili nga një mijë dollarë për vrasjen e saj.

Elizabeta fillimisht u rrah dhe më pas u vra me thikë.