Kryesore SHBA shpall “non grata” ish-kryeprokuroren e Maqedonisë së Veriut

SHBA shpall “non grata” ish-kryeprokuroren e Maqedonisë së Veriut

Departamenti Amerikan i Shtetit sanksionon ish-kryeprokuroren e Posaçme të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva. Ish-zyrtarja e lartë teksa ishte në detyrë, sipas DASH ka qenë e përfshirë në akte korruptive, duke shfrytëzuar ndikimin e saj politik dhe pushtetin zyrtar për përfitime personale.

Të sanksionuar janë edhe anëtarët e ngushtë të familjes të cilëve u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Pjesë e sanksioneve është edhe kryetari aktual i komunës së Karposhit në Maqedoninë e Veriut, Stevço Jakimovski dhe ish-kryetari i komunës së Kaçanikut në Kosovë, Xhabir Zharku, për përfshirje në korrupsion.

Në një njoftim të Departamentit të Shtetit thuhet se “veprimet e tyre dëmtuan sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverive të tyre përkatëse”.