Bota Shefi i NATO-s, mesazh Rusisë: Lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe...

Shefi i NATO-s, mesazh Rusisë: Lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të ndodhë kurrë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg foli këtë të mërkurë për gazetarët në Bruksel, para vizitës së presidentit amerikan Joe Biden.

Në mesin e çështjeve që preku ishte ajo e retorikës bërthamore të Kremlinit. Stoltenberg i cilësoi deklaratat e bëra një ditë më parë nga Rusia si të rrezikshme dhe të papërgjegjshme.

Mesazhin për Rusinë e kishte të qartë: Lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të ndodhë kurrë.

Reagimi vjen pasi të martën, një zëdhënës i Kremlinit tha se Rusia mund t’i përdorë armë bërthamore nëse ekzistenca e saj do të ishte në rrezik.

Stoltenberg po ashtu tha se NATO duhet të sigurohet që lufta të mos i kalojë kufijtë e Ukrainës.

“Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka mundemi për të mbështetur Ukrainën, por NATO ka përgjegjësi që të sigurojë që lufta të mos përshkallëzohet përtej Ukrainës”, tha ai.

“Anëtarët e NATO-s përballen me një mjedis rrënjësisht të ndryshuar sa i takon sigurisë, ku qeveritë autoritare janë të përgatitura të përdorin forcën“, shtoi Stoltenberg.

Në takimin e liderëve të aleancës pritet po ashtu që të diskutohet edhe roli Kinës në këtë krizë.