Aktualitet Shefja e Infektivit: Virusi më i tmerrshëm që kam parë. Po “kafshon”...

Shefja e Infektivit: Virusi më i tmerrshëm që kam parë. Po “kafshon” moshat e reja

Shefja e Repartit Infektiv në QSUT, Najada Çomo, ka folur sot për herë të parë në media për Covid-19 pas disa muajsh heshtjeje. Në një rrëfim në emisionin “Open” në Top Channel, Çomo ka thënë se kjo ka qenë periudha më e vështirë në të gjithë jetën e saj, duke u shprehur se ky virus është i tmerrshëm, pasi vuajtjet që shkakton tek të prekurit janë të shumta.

Më tej mjekja ka treguar dhe rastet e humbjeve të jetëve në spital dhe tha se ajo ka informuar familjarët për vdekjen e të afërmve të tyre.

“Kjo është periudha më e tmerrshme gjatë gjithë punës sime. Ky është një virus i rrezikshëm dhe i tmerrshëm. Virusi transmetohet shumë shpejt dhe shkakton vuajte shumë të mëdha tek ata që preken. Po ashtu dhe fatalitetet janë të shumta me këtë virus.

Ishte shumë e vështirë të njoftoje familjarët për pacientët që humbnin jetën. Nuk kishte një moment më të vështirë sesa të merrja dikë që s’e njeh në telefon dhe t’i thuash që i afërmi yt ka vdekur. Unë i kam dhënë të gjitha njoftimet. Ishte shumë e vështirë. Shumë herë kam derdhur lot me kolegët për humbjen e jetëve të këtyre personave”, tregon shefja e Shërbimit Infektiv duke u përlotur.

E pyetur nëse ndonjë pacient ka lënë ndonjë amanet në fund të jetës, e teksa nisi të rrëfente Çomo u përlot dhe tha ai është momenti më i vështirë për të.

Çomo u shpreh se sot ka dalë që t’u thotë qytetarëve se virusi është mes nesh dhe po merr jetë njerëzish dhe të gjithë duhet ta besojnë.

Sipas saj, grupmosha e qytetarëve që preken nga koronavirusi është ulur në Shqipëri, vdekjet janë shtuar dhe gjendja është e rëndë.

Ndër të tjera, ajo shtoi se temperaturat e larta në këto kohë e kanë përkeqësuar gjendjen shëndetësore të njerëzve të infektuar dhe se vdekjet vijnë edhe si pasojë e këtyre kushteve.

“Duhet ndryshuar mënyra e jetesës”

Shefja e Shërbimit Infektiv, Najada Çomo, tha se koronavirusi është një ndër “sëmundjet më të tmerrshme që kam parë gjatë gjithë viteve të mia të punës”.

Çomo u shpreh se nuk ka menduar kurrë se COVID-19 po largohej nga Shqipëria, ndërsa tha se qytetarët duhet të ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës.

“Tre muajt e izolimit kanë qenë muaj intensivë punë dhe unë asnjëherë nuk kam menduar se po ikte COVID nga Shqipëria. Kur je brenda e kupton që nuk mund të jesh kaq optimiste.

Unë jam pro hapjes dhe se anëtare e komitetit teknik, kam qenë pro mbylljes e pro hapjes, por e mirë kontrolluar dhe mirë menaxhuar nga popullata. Hapja është një gjë  e domosdoshme, por nuk do të thotë që ti të fitosh lirinë dhe liria jote të cenojë shëndetin e shumë të tjerëve.

Kjo po ndodh tani. Duhet ndryshuar mënyra e jetesës. Kjo është sëmundja më e tmerrshmja që kamë parë në të gjithë historinë  e punës sime. Sëmundje e frikshëm që ka shumë të papritura dhe ti kujton se sot e ke vënë gjithçka anë vijë dhe pas një orë ka ndryshuar çdo gjë. Është e tmerrshme në shenjat klinike, në përhapjen, në komplikacionet që jep, në vuajtjet që ka një person dhe për shkakun e fatalitetit që ka sëmundja në raport me të tjerat”, tha Çomo.

Po “kafshon” moshat e reja

Ndonëse në fillim të kësaj pandemie u raportua se virusi ka “pre” të preferuar të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, Çomo thotë se tashmë ka ndryshuar ky rregull dhe ka raste të infektimit e vdekjeve në moshë më të re.

Duke u shprehur se “virusi po kafshon” edhe persona në moshë të re.

“E vërteta janë se janë prekur ata që kanë sëmundje kronike. Por ai grup popullate është më i sensibilizuar aktualisht. Ata janë më të rrezikuar që fëmijët e tyre, nipër e mbesa të marrin virusin dhe të çojnë tek ata. Është shtuar numri i vdekjeve në mosha më të reja. Virusi po “kafshon” dhe persona në moshë të re. Prekja e këtij virusi është më evident te moshat e reja. Mosha e re nuk është vetëm transmetuesi i virusit, por janë të prekur rëndë nga ky virusi”, u shpreh mjekja.