Shëndet Shega, fruti çudibërës që përmendet në të gjithë librat e shenjtë

Shega, fruti çudibërës që përmendet në të gjithë librat e shenjtë

Njeriu që nga lashtësia e deri në ditët tona, në mënyrë konstante, shegën e ka shfrytëzuar për zbukurimin e mjediseve rreth banesave, për ushqim dhe si bimë medicinale.

Në Shqipëri kultivohej në pjesën ballore të shtëpive: në oborre, në portën kryesore, rrëzë mureve të gurtë rrethues, për një pamje sa më të bukur. Së bashku me shegën, aty rriteshin lule të ndryshme, trëndafila e ndonjë ftua apo pjeshkë.

Mbi të gjitha në këtë dekor unik, dallohet shega, si një bimë e brishtë, bukuroshe e përjetshme. Gjethet, lulet dhe frutat e saj mjaft të bukura, krijojnë një mjedis bimor tepër tërheqës, nga pranvera deri në prag të dimrit.

Në kulturën e popujve

Gjatë historisë së saj mijëra vjeçare, shega ka qenë simbol i shpresës, paqes prosperitetit dhe bollëkut, për banorët e çdo pjese të botës ku ajo është kultivuar. Popujt e besimeve dhe kulturave të ndryshme ja kishin diktuar dhe i njihnin mirë dobitë e saj, prandaj u bë simbol për Hyjnorët, udhëheqësit historikë, letrarët dhe artistët e famshëm. Këto i gjejmë të pasqyruara në histori, mite, fe të ndryshme, folklor, artin klasik dhe në veprat letrare e artistike. Po përmendim disa:

Në Egjiptin e lashtë, 3600 vjet më parë, janë gjetur në varre piktura murale që simbolizonin jetën e përtejme. Mbretin TATU e varrosën me një vazo me shegë. Shtyllat e tempullit të Solomonit në Jeruzalem, ishin zbukuruar me piktura të luleve dhe frutave të  shegës. Monedhat e argjendit të Izraelit( 60-70), kishin të stampuara tri kokrra shegë, si tek tempulli Solomonit. Në traditat e hebrenjve shega simbolizon drejtësinë. Persianët (600-700 PK) mbillnin shegë në oborret e tempujve si simbol i përjetësisë, pasi shega kishte gjithë vitin gjelbërim.

Në mitet e Greqisë së lashtë, shega ishte simbol i pazgjidhshmërisë martesës. Vajzën e Perëndeshës Demetër, Persofonin, e rrëmbeu në ferr Hedes. Ai duke e gënjyer i dha të hante disa kokrra shegë. Ngrënia e shegës e ndalonte të ndahej nga burri. Zeusi si Kryeperëndi e zgjidhi me një kompromis: Persofoni do te jetonte në ferr me Hedesin një të tretën e vitit dhe dy të tretat me Demetrën. Kthimi Persofonit në ferr bëhet me ardhjen e pranverës. Gjithashtu shega ishte e shenjtë për Perëndeshën e dashurisë Afërditën dhe Perëndeshën e martesës Hera. Për to, fruti shegës simbolizonte certifikimin e martesës dhe humbjen e virgjërisë femërore.

Në Romën e lashtë shega gjendet si element zbukurimi në mozaikët e ndërtesave të ndryshme. Gratë e martuara për të treguar statusin e tyre martesor, në publik vendosnin në kokë një degë shege.

Në Fenë e Krishterë, në Bibël, shega përmendet disa herë. Për artin kishtar ajo simbolizon ringjalljen e Krishtit dhe premtimin e jetës pas vdekjes. Në pikturat e Sandro Botticelli (1440-1510), Raphael(1483-1520), Filippino Lippi, etj., Shën Maria paraqitet me Krishtin fëmijë i cili mban në duar një shegë. Shega, simbolizon bollëk, shpresë, produktivitet dhe dlirësinë e Virgjëreshës Mari. Në veladonet e rasot e priftërinjve dhe ikonostaset e kishave janë dizenjuar ose gdhendur lule e fruta të shegës. Gjatë ceremonive të vdekjeve ose përshpirtjeve, kokrrat e grurit të ziera me sheqer që jepen për këto rraste, zbukurohen me disa kokrra shegë anash. Shumë dijetarë hebrenj besojnë se “fruti i ndaluar” i Kopshtit Edenit ishte shega.

Në fenë Islame shega vlerësohet si një frut i çmuar për ushqim dhe përmendet si sinonim i paqes. Legjendat Islame thonë se çdo kokërr e shegës është një mesazh nga Parajsa. Në Kuran, Parajsa përshkruhet e përbërë nga katër kopshte me burime e pemë, në mesin e tyre dhe shega. Dinastia Islame Maure(1238-1358), ndërtoi në Granada të Spanjës një pallat madhështor ku në mure, dysheme dhe qemere ishin vizatuar apo ndërtuar mozaikë me lule e fruta shege.

Në Budizëm tri fruta konsiderohen të shenjta: portokallet, shegët dhe pjeshka. Këto në artin budist, përbëjnë thelbin e ndikimeve të dobishme. Buda predikonte se çdo zakon i keq tek fëmijët shërohet duke ngrënë një kokërr shegë.

Në kulturën kineze, që nga lashtësitë e deri në kohët tona prodhimet e porcelanit dhe të mëndafshit janë zbukuruar të dizenjuara me lule të shegës.

Mbreti Anglisë Henri VIII kur u martua me Katerinën e Aragonës, si emblemë të tyre kishin shegën e Granadës. Thuhet se ky ka qenë i pari që e ka mbjellë këtë bimë në Britani.

Maksimiliani i Austrisë në vitin 1519 zgjodhi dhe vendosi shegën si simbol personal të tij.

Në vitin 1598 Mbreti Francës Henry IV, përfundoi luftën civile midis katolikëve dhe protestantëve, dhe si heraldikë zgjodhi të kishte një shegë.

Shkrimtari famshëm Oscar Uilde(1854-1900), shkroipërrallën për fëmijë “Shtëpia e Shegëve”, me mesazhe të fuqishme për të rriturit. Ndërsa për Uliam Shekspirin tek “Romeo dhe Zhulieta”, shega simbolizon dashurinë e ndaluar.

Ne gjysmën e parë të shekullit të kaluar, shega u bë pjesë e lëvizjeve artistike moderne si: Post-impresionizmit, Fauvismi, Kubizëmi dhe Surealizëmi. Paul Cezanne(1039-1906), Henri Matisse(1869-1954), Picasso(1881-1973), Salvador Dalí(1904-1989), etj., në punët e tyre kanë përfshirë dhe shegën. Edhe kurora që kurorëzon vajzën më të bukur, “Misset” si dhe kurorat e disa mbretërve janë dizenjuar e konceptuar si një lule shege.

Në Shqipëri shega është mijëra vjeçare. Gjurmët më të vjetra në trojet tona janë gjetur në Butrint si element dekorativ i mozaikëve, datojnë në shek. IV Para Krishtit. Në shumë punime popullore, si gdhendjet në dru apo endjet, lulja e shegës është përdorur si element zbukurimi ose dizenjo që në lashtësi. Shega pasqyrohet ose ka lidhje me shumë rite dhe folklorin e trevave të ndryshme të vendit tonë.

Në traditat dhe ritet e lashta popullore konsiderohet si simbol i fertilitetit. Në Mallakastër, Berat, Dumre, etj., në dasma, karvanit të krushqve që shkonin për të marre nusen, u printe një flamur ku në majë të flamurmbajtëses (bishtit) vendosej një shegë. Në disa zona të tjera si, Vlorë e Gjirokastër nusja kur shkon tek shtëpia e dhëndrit merr me vete një shegë ose, ja japin për të hyrë në shtëpi më shegë në dorë. Shega për shqiptarët është sinonim i të bukurës në përgjithësi dhe i bukurisë femërore në veçanti.

Etimologji, Onomastikë

Emeri “Punica” në latinisht është vendosur nga botanisti Karl Line (1707–1778), në nderim të kolonisë fenikase(Phoenicia) të Kartagjenës, siç i quanin romakët, dhe të dëgjuar për kultivimin e shegëve në Mesdheun e lashtë. Ndërsa “granatum” ka lidhje me kokrrat brenda frutit.

Në spanjisht, frëngjisht quhet Granada, Granata, prej nga ka marrë dhe emrin një qytet në Spanjë “Granada”, i shquar për kultivimin e shegëve. Emri “pomegranate” në anglisht dhe disa gjuhë te tjera evropiane rrjedh nga fjala “pome” që do të thotë mollë dhe “granate” me kuptimin shumë farëra, po ashtu dhe melogranite ne italisht.

Në Ballkan, bullgarët, serbët dhe kroatët e quajne shegën “Nar”, që sigurisht rrjedh nga turqishtja.

Emri shqip “shegë” nuk ngjason ose të jetë i përafërt me asnjë nga gjuhët evropiane apo të lindjes, ky emër duhet të jetë vendosur nga pellazgët, ose para Ilirët, 2-3 mijë vjet më parë. (Çabej 2006, Xhuveli, 2012). Në shqip fjala “shegë” nuk na jep ndonjë kuptim. Sipas gjuhëtarëve kjo fjalë është huajtur nga një gjuhë mesdhetare e pa njohur (Çabej St. II 131 & V. Orell 1998).

Në Shqipëri fjalën  “shega” e gjejmë si antroponim, emra dhe mbiemra njerëzish. Po kështu e gjejmë dhe si toponim në emërtimin e tre fshatrave: Një në Qarkun e Elbasanit me emrin “Shega” dhe dy në Rrethin e Fierit, me emrat “Shegas” dhe “Fier Shegan”.

12 fakte mbi shegën:

1- Shega njihet si simbol i pjellorisë dhe i fatit të mirë.

2- Brenda një shege ka rreth 800 kokrra të vogla ngjyrë të kuqe.

3- Lëngu i shegës shton prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut dhe zvogëlon ngarkesën kardiake.

4- Ideale për fëmijët e vegjël që kanë kollë dhe temperaturë.

5- Lëngu i shegës është ideal për flokët, lëkurën dhe thonjtë falë përbërësve që ka.

6- Shega është e mbushur me antioksidantë.

7- Parandalon kancerin e mushkërive, të prostatës, të gjirit, gjithashtu diabetin, osteoporozën, etj.

8- Studimet e fundit tregojnë se konsumi i një shege si lëng rrit dëshirën seksuale.

9- Lëngu i shegës shuan etjen, hap oreksin dhe kthjellon mendimet.

10- Shega redukton rrudhat në fytyrë dhe i jep freski asaj.

11- Lëngu i shegës ka 3-4 herë më shumë antioksidantëve se rrushi i zi, çaji jeshil dhe vera e kuqe.

12- Është shumë e pasur me kalium, hekur dhe vitaminat A,C dhe E.