Aktualitet Shërbimet online, Rama: Nga 1 janari revolucion, zhduk radhët për aplikime

Shërbimet online, Rama: Nga 1 janari revolucion, zhduk radhët për aplikime

“Një revolucion digjital”, e konsideron kryeministri Edi Rama nisjen e aplikimeve vetëm online për 472 shërbime, duke filluar nga 1 janari.

Ulje e rrezikut për ryshfete dhe reduktim i pritjeve në radhë janë disa nga benefitet, shpjegon Rama, ndërsa thekson se qytetarit do t’i kërkohen vetëm dokumentet e tij personale.

“Qytetarët do të aplikojnë për të marrë një shërbim dhe do të postojnë online vetëm ato dokumente që janë personale, gjëra që janë të lidhura me personin”, tha Kryeministri.

Administratës do t’i duhet të gjejë vetë dokumentacionin shtetëror që lidhet me aplikimin, pa ja kërkuar atë qytetarit.

“Të gjitha ato gjëra që janë brenda shtetit, do t’i marrë administrata”.

Sipas Ramës, 472 shërbimet për të cilat aplikimi do të bëhet online, do të shtohen më pas në dy faza të tjera.

“Do të ketë një bllok të dytë në qershor dhe deri në fund të 2020 parashikohet që të gjitha shërbimet, me përjashtim të shërbimeve që e duan personin aty, të jenë kështu. Qytetarët të mos shkojnë më në dyer të tjera për të marrë dokumente që janë brenda shtetit”, tha Kryeministri Rama.

Aplikimi online mund të bëhet me ndihmën e një kompjuteri apo telefoni smartphone, përmes portalit e-Albania.al.