Bota Shërbimet sekrete amerikane: Moska ka nisur të luajë skenarin e luftës

Shërbimet sekrete amerikane: Moska ka nisur të luajë skenarin e luftës

Të dhënat e fundit të mbledhura nga shërbimet amerikane të inteligjencës sugjerojnë se Rusia po vijon me përgatitjet e saj për të pushtuar Ukrainën.

Sipas një zyrtari të rangjeve të larta të administratës amerikane, të cilit i referohet CNN, të dhënat tregojnë se Moska mund të sulmojë në ditët e ardhshme, pasi të ketë gjetur një pretekst.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë vënë në dukje se nuk e dinë ende nëse presidenti rus Putin ka marrë një vendim përfundimtar dhe shtojnë se ai mund ta shtyjë aksionin, ose të mos e urdhërojë atë.

Shtetet e Bashkuara kanë informuar ushtrinë ukrainase me të dhënat e reja, të cilat sipas palës amerikane paraqesin një situatë “të zymtë”.

Nga konferenca e sigurisë në Mynih, sekretari i Shtetit, Antony Blinken nënvizoi se veprimet e fundit të Rusisë tregojnë se taktikat agresive të saj ndaj Ukrainës janë aplikuar tashmë.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për rrugën që Rusia ka ndërmarrë dhe gjithçka që po shohim, përfshirë zhvillimet e 24 dhe 48 orëve të fundit, është pjesë e një skenari që ka nisur të luhet, ai për krijimin e provokimeve të rreme”, tha Antony Blinken, sekretari amerikan i Shtetit.

Duke folur në të njëjtin event, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock deklaroi se Berlini zyrtar i ka të gjitha opsionet në tryezë nëse Rusia sulmon fqinjin e saj, përfshirë këtu sanksionimin e gazsjellësit “Rrjedha e Veriut 2”.

“Ne, Gjermania, jemi të përgatitur të paguajmë vetë një çmim të lartë ekonomik. Prandaj i kemi të gjitha opsionet në tryezë, përfshirë sanksionimin e ‘Rrjedhës së Veriut 2’”, u shpreh ministrja e Jashtme e Gjermanisë

Ndërkohë, nga Moska, presidenti Putin i bëri thirrje qeverisë së Ukrainës që të ulet në tryezë me separatistët pro-rusë për bisedime.