Kulturë “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” do kthehet në film

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” do kthehet në film

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një nga romanet jo vetëm më të mirë të shkrimtarit Dritëro Agolli, por të të gjithë letërsisë shqipe, tashmë po kthehet edhe në film.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se skenari dhe regjia do të jetë nga Fatmir Koçi dhe prodhuar nga shtëpia kinematografike “KKoçi Production”.

Ky film, i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë është bashkëprodhim me shtëpinë filmike “Circle Production”, me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe shtëpinë filmike “KINO OKO”, Maqedonia e Veriut.

“Ishte kënaqësi të shihja kaq shumë të rinj, jo vetëm në rolet kryesore të filmit, por edhe në paskuinta, çka na jep besim se një brez i ri aktorësh e kineastësh kanë nisur udhëtimin e tyre”, – tha Margariti.

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” rrëfen historinë e ngritjes në karrierë të një burokrati komunist në periudhën e diktaturës në Shqipëri. Te personazhi i Zylo Kamberit ndërthuret komedia, grotesku, zhgënjimi, anormaliteti etj. I botuar në vitin 1972, romani mbetet një nga librat më të lexuar edhe sot e kësaj dite.