Kryesore Shkencëtarët në Oksford: Vaksina mund të jetë gati në vjeshtë

Shkencëtarët në Oksford: Vaksina mund të jetë gati në vjeshtë

Një vaksinë kundër koronavirusit mund të jetë gati që në vjeshtë, thotë një profesor i Universitetit të Oksfordit. Sipas Sir John Bell, faza eksperimentale mund të përfundojë nga mesi i muajit gusht, por sfida më e madhe do të jetë prodhimi i miliarda dozave të vaksinës.

Eksperti zbuloi se institucioni prestigjioz në Britaninë e Madhe kishte nisur këtë jave testimin e vaksinës së mundshme te njerëzit.

Por pyetja më e rëndësishme që shtrohet, thotë ai, është nëse ajo do të jetë e efektshme. “Efikasiteti i saj do të mund të testohet vetëm pas vaksinimit të një numri të madh njerëzish, të cilët duhet të ekspozohen ndaj virusit për të parë rezultatet. Por nëse shohim një përgjigje të fortë imunitare deri në fund të majit, jemi në rrugën e duhur”, tha Bell.

Shkencëtarë të Universitetit të Oksfordit po prodhojnë që tani miliona doza të vaksinës së mundshme, për në muajin shtator, pasi siç thuhet, kanë besim se ajo do të jetë e suksesshme. 510 vullnetarëve britanikë mund t’u jepet doza e parë brenda javës së ardhshme.

Raportimet për kohën se kur do të jetë gati vaksina janë konfliktuale dhe këshilltari shkencor i qeverisë së Londrës, Sir Patrick Vallance pretendon se antidoti nuk është pas dere.

Por ndërsa kriza shëndetësore në Britaninë e Madhe duket të jetë drejt ngadalësimit, qeveria njoftoi të premten krijimin e një task- force për të mbështetur shkencëtarët në përpjekjen e vaksinës që do të shpëtojë jetë njerëzish.