Bota Shteti ku respiratori është ëndërr: Ofrohet me kriter dhe me short

Shteti ku respiratori është ëndërr: Ofrohet me kriter dhe me short

Autoritetet meksikane kanë lëshuar udhëzime zyrtare se si të gjykojnë për atë se kush do të vihet në respirator në rast spitalesh përplot dhe kush jo, gjë e cila ka marrë kritika të shumta nga qytetarë të zemëruar.

Dokumenti “Udhëzime për Ndjekjen dhe Ndarjen e Burimeve në departamentet e Kujdesit Intensiv”, i miratuar në kohën e pandemisë koronare, favorizon stafin mjekësor dhe më pas prioritizon jetëgjatësinë.

Sa më i vjetër të jetë pacienti dhe sa më shumë sëmundje kronike të kenë, aq më pak të ngjarë ka që të zërë një respirator.

Gratë shtatzëna, pasi bëhet fjalë për të shpëtuar të paktën dy jetë, janë prioriteti nr.1.

Personeli mjekësor i sëmurë rëndë i përfshirë direkt në luftën kundër pandemisë ka gjithashtu një avantazh absolut.

Feja, statusi ekonomik, kombësia, gjinia, paaftësia, përkushtimi politik dhe koha e shtrimit në spital nuk kanë asnjë rëndësi në këtë lloj strategjie.

Nuk ka rëndësi nëse pacienti është i mbuluar nga sigurimi shëndetësor apo jo.

Nëse dy pacientë kanë të njëjtin numër pikësh, vendim për ta merret aty për aty e ndoshta dhe me short.

Për momentin është e paqartë nëse këto udhëzime zyrtare kundërshtojnë ligjet e tanishme meksikane.

Dokumenti prej 13 faqesh u përpilua nga Këshilli i Shëndetit Publik, i cili mbikëqyret nga Presidenti Meksikan Andres Manuel Lopez Obrador.

Rektori i Universitetit Kombëtar të Meksikës, mjeku Enrique Graue, anëtar i Këshillit të Shëndetit Publik, u distancua nga dokumenti. Ai nuk ishte i ftuar në një takim për të diskutuar dhe votuar për udhëzimet e reja.

Pak pasi u miratua dokumenti, pasuan reagime të ashpra.

Profesori i mikrobiologjisë Lori An Jimenes e përshkroi vendimin si të turpshëm.

“Mund të ishte shmangur nëse qeveria jonë do vepronte me aq kujdes siç vepruan në Tajvan. Ata nuk duhet të shqetësohen për numrin e shtretërve në spitale dhe respiratorë”, tha Jimenez.

Vlerësohet se më shumë se 10,000 pacientë mund të kenë nevojë për kujdes intensiv gjatë javëve të ardhshme.

Zv.Ministri i Shëndetësisë i Meksikës, Hugo López-Gatell, tha që udhëzimet do të zbatohen vetëm nëse kapacitetet do të arrinin kufirin e tyre dhe pacientët nuk mund të transferoheshin në spitale të tjera.

Udhëzimet e reja janë një goditje e re për imazhin e Presidentit Lopez Obrador, i cili ka thënë me javë të tëra se Meksika është e përgatitur për pandeminë sa më mirë që mundet dhe se të moshuarit janë një përparësi për qeverinë e tij.