Kur u kap gjatë Revolucionit Francez, Maria Antuaneta thuhet se u thinj brenda natës. Më vonë në histori, kur Xhon Mekein (John McCain) përjetoi lëndime të rënda si i burgosur i luftës gjatë Luftës së Vietnamit — u thinj gjithashtu.
Për një kohë të gjatë, tregimet i kanë lidhur përvojat stresuese me fenomenin e zbardhjes së flokëve. Tani, për herë të parë, shkencëtarët e Universitetit të Harvardit kanë zbuluar saktësisht se si zhvillohet procesi: stresi aktivizon disa nerva, të cilat shkaktojnë dëme të përhershme të qelizave burimore që rigjenerojnë pigmentin në gjëndrat e flokëve.
Studimi, i botuar në revistën shkencore “Nature”, shënon një hap përpara në të kuptuarit e asaj se si stresi mund të ndikojë në trup.
“Të gjithë kanë një histori për të treguar rreth asaj se si stresi ndikon në trupin e tyre, veçanërisht në lëkurë dhe flokë – indet e vetme që ne mund të shohim nga jashtë“, thotë Ya-Chieh Hsu, profesori i asociuar në Harvard. “Ne synonim të kuptonim nëse kjo lidhje është e vërtetë, dhe nëse po, si bëhet stresi shkak për ndryshime në inde të ndryshme. Pigmentimi i flokëve është një sistem i tillë i arritshëm dhe i prekshëm që në fillim — dhe përveç kësaj, ne kemi qenë vërtet kuriozë të shohim nëse stresi vërtet çon deri në humbjen e ngjyrës së flokëve”.
Ngushtimi i rrethit të “të dyshuarve”
Për shkak se stresi prek të gjithë trupin, studiuesit së pari duhej të përcaktonin saktë se cili sistem i trupit ishte përgjegjës për lidhjen e stresit me ngjyrën e flokëve. Ekipi hodhi hipotezën se stresi shkakton një sulm imunitar në qelizat që prodhojnë pigment. Sidoqoftë, kur te minjtë që kishin mungesë qelizash imune u vu re zbardhja e qimeve, studiuesit iu drejtuan hormonit kortizol. Por edhe një herë, kjo ishte një rrugë pa krye.
“Stresi gjithmonë ngre nivelin e hormonit kortizol në trup, kështu që ne menduam se kortizoli mund të luajë një rol”, tha Hsu. “Por çuditërisht, kur ne hoqëm gjëndrën mbiveshkore nga minjtë në mënyrë që ata të mos prodhonin hormone të ngjashme me kortizolin, qimet e tyre vijuan të ktheheshin në gri nën efektin e stresit”.
Pas eliminimit sistematik të mundësive të ndryshme, studiuesit analizuan sistemin nervor simpatik, i cili është përgjegjës për reagimin e trupit.
Nervat e këtij sistemi degëzohen në çdo gjëndër të flokëve në lëkurë. Studiuesit zbuluan se stresi bën që këto nerva të lëshojnë norepinefrinën kimike, që merret nga qelizat burimore që ndodhen pranë qelizave të rigjenerimit të pigmentit.
Dëmi i përhershëm
Në folikulën e flokëve, disa qeliza burimore veprojnë si rezervuar i qelizave që prodhojnë pigment. Kur rigjenerohen flokët, disa nga qelizat burimore shndërrohen në qeliza që prodhojnë pigment që ngjyrosin flokët.
Studiuesit zbuluan se norepinefrina nga nervat simpatikë bën që qelizat burimore të aktivizohen në mënyrë të tepruar. Qelizat burimore shndërrohen në qeliza prodhuese të pigmentit, duke e shkatërruar para kohe këtë rezervuar.
“Kur filluam ta studiojmë këtë, prisja që stresi të ishte i dëmshëm për trupin, por ndikimi negativ që zbuluam ishte përtej asaj që imagjinoja”, tha Hsu. “Pas vetëm disa ditësh, të gjitha qelizat burimore që rigjenerojnë pigmentin humbën. Pasi ato zhduken, nuk mund të rigjeneroni më pigmentin. Dëmi është i përhershëm.”
Gjetja nënvizon efektet anësore negative të evoluimit që ka pësuar sistemi mbrojtës i trupit.
“Në këtë rast, stresi akut shkakton zhdukje të përhershme të qelizave burimore”, thotë Bing Zhang, autori kryesor i studimit.