Aktualitet Shkollat nuk mbyllen, por “nga 1 dhjetori mësim i alternuar, në klasë...

Shkollat nuk mbyllen, por “nga 1 dhjetori mësim i alternuar, në klasë dhe online”

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se në kuadër të masave për të minimizuar përhapjen e COVID-19, i është propozuar Ministrisë së Arsimit që nga data 1 dhjetor mësimi në shkolla të zhvillohet i alternuar, në shkollë dhe online.

“Për të minimizuar çdo risk gjatë kësaj periudhe që rriten dhe infeksionet e tjera respiratore dhe për të qenë sa më të kujdesshëm, edhe pse fëmijët nuk vlerësohet të jenë transmetues të lartë të infeksionit nga Sars-Cov2, edhe pse protokollet e sigurisë në tërësi janë zbatuar nga strukturat arsimore, gjë që është reflektuar edhe në shifra, kemi peshuar rëndësinë e këtij ekuilibri dhe kemi vendosur: T’i rekomandojmë MASR që nga data 1 dhjetor, të aplikojë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar, në formë tradicionale, pra me prani fizike duke e kombinuar me mësimin në distancë (online) bazuar në specifikat e sistemit arsimor dhe të dhënave lokale përkatëse në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore”, bëri të ditur Manastirliu përmes një video-mesazhi.

Ndërkohë më herët, ministrja deklaroi se në muajin dhjetor në vendin tonë do të fillojë aplikimi i testimit të shpejtë, duke forcuar kështu kapacitetet aktuale.

“Ne po vazhdojmë të fuqizojmë kapacitetet tona në gjithë sistemin shëndetësor duke filluar nga përmirësimi i testimit dhe gjurmimit, dhe përfshirja e testeve të shpejta brenda dhjetorit do të bëjë të mundur kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit”, tha Manastirliu.