Bota Shkrihen akujt Arabi Saudite–Katar, por Doha përbetohet: Kurrë s’do i kthejmë shpinën...

Shkrihen akujt Arabi Saudite–Katar, por Doha përbetohet: Kurrë s’do i kthejmë shpinën Turqisë

Katari dhe Arabia Saudite kanë arritur të rifuten në bisedime, tha ministri i Jashtëm i Katarit Mohamed bin Abdulrahman al-Thani, duke thënë se Doha do të merrte parasysh kërkesat e grupit të Gjirit Persik, por jo t’i kthejë shpinën Turqisë, raportoi Reuters.

Në një mosmarrëveshje që ka vazhduar për dy vjet e gjysmë, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti kanë ndërprerë lidhjet diplomatike dhe tregtare me Katarin, duke pretenduar se ai mbështet terrorizmin. Doha mohon pretendimin dhe thekson se embargoja shkel sovranitetin e Katarit.

“Ne dolëm nga pozita e paqartë e moskomunikimit dhe filluam të bisedojmë me sauditët”, tha Al-Thani.

“Ne duam t’i kuptojmë ankesat, t’i hetojmë dhe t’i vlerësojmë ato dhe të konsiderojmë zgjidhje të mundshme që do të na mbrojnë nga çdo krizë e mundshme në të ardhmen”, theksoi zyrtari i lartë i Dohas, pa hyrë në detaje për lëshime të mundshme.

Katërshja arabe e Gjirit me në krye Saudinë, i kanë bërë Katarit 13 kërkesa, përfshirë mbylljen e televizionit Al Jazeera dhe një bazë turke, heqjen e marrëdhënieve me Iranin dhe prishjen e lidhjeve me Vëllazërinë Myslimane.

Ministri i jashtëm i Katarit vizitoi Riadin në tetor, duke sinjalizuar ngrohjen e marrëdhënieve me Arabinë Saudite.

Presidenti amerikan Donald Trump foli të hënën me emirin e Katarit Sheik Tamim bin Hamad al-Thani, duke shprehur shpresë se bisedimet midis Katarit dhe partnerëve amerikanë në rajon “do të çojnë në një zgjidhje të mosmarrëveshjes së Gjirit”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Megjithatë, zyrtar më i lartë Katarit theksoi se Doha nuk ka ndërmend të ndryshojë marrëdhëniet me Ankaranë për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

“Ne do të qëndrojmë mirënjohës për të gjitha vendet që kanë arritur në shpëtimin tonë dhe na kanë ndihmuar në krizë … ne kurrë nuk do t’u kthejmë shpinën atyre”, theksoi ai.

Turqia fillimisht dërgoi trupa, pajisje ushtarake, ushqim dhe ujë për Katarin e vogël por të pasur, nën bllokadë – kujton Reuters.