Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria nuk është “posaçërisht” e rrezikuar nga një sulm prej Iranit, pas përshkallëzimit të konfliktit mes Republikës Islamike dhe Shteteve të Bashkuara dhe sulmit verbal të Ajatollahut Ali Khamenei një ditë më parë ndaj vendit tonë.
“E dimë shumë mirë që duke ndërmarrë hapin e përfshirjes në operacionin humanitar i mbrojtjes së jetëve të kërcënuar me vdekje nga regjimi diktatorial i Teheranit kemi marrë një risk. Jam shumë krenar që në këtë drejtim politika shqiptare ka një qëndrim dhe e ka bërë këtë hap me një bindje të unifikuar, në funksion të detyrimeve të një aleance strategjike me Shtetet e Bashkuara”, tha Rama.
Gjithsesi Kryeministri kujtoi se vendi bën pjesë në aleancën më të madhe ushtarake të të gjitha kohërave.
“Dua të nënvizoj që ne jemi anëtar të NATO-s dhe çdo sulm mbi vendin tonë është sulm mbi NATO-n, që të jemi të qartë”, theksoi Rama. “Natyrisht që, për këtë mund ta ketë imagjinuar përfshirjen tonë në NATO si moment festimi për status të ri të vendit dhe jo si një aleancë që përballet edhe me rreziqe, duhet ta rikonceptojë atë që ka menduar. Jetojmë në një botë ku përballemi me rreziqe, me armiq të lirisë e demokracisë dhe jemi shumë krenar që jemi në mbështetje të një aleance që lufton për lirinë”.