Kryesore Shqiptarët nisin festimet me flamuj kuq e zi për fitoren në Tuz

Shqiptarët nisin festimet me flamuj kuq e zi për fitoren në Tuz

E diela e 3 marsit 2019 do të mbetet në historinë e shqiptarëve në  komunën Tuz të Malit të Zi. Për herë të parë pas 62 viteve, atyre u jepet mundësia të qeverisin të pavarur nga Podgorica zyrtare.

Shqiptarët e Tuzit nisën festimet ende pa u konfirmuar zyrtarisht fitorja e koalicionit të kryesuar nga Nik Gjeloshaj.

Pas numërimit të kutive të para, grupimi i partive shqiptare “Malësia na bashkon” rezulton fitues me rreth 50% të votave.

Ata pritet të sigurojnë numrin e nevojshëm prej të paktën 17 nga 32 përfaqësuesit e këshillit për të zgjedhur Nik Gjeloshajn si kryetar të komunës.

Gjeloshaj është kandidati i propozuar nga koalicioni i tre partive shqiptare; Alternativa, Lidhja Demokratike dhe Unioni Demokratik. Përballë tyre ishin 4 grupime politike mes të cilëve, edhe Partia Demokratike e Socialistëve të Presidentit Milo Gjukanoviç.

Procesi i votimit nisi në orën 07:00 dhe përfundoi në orën 20:00 të mbrëmjes. Raportohet se nga 11.900 zgjedhës, morën pjesë në votime rreth 60 përqind e tyre. Sipas drejtuesve të qendrave të votimit, nuk ka pasur incidente.

Në mbështetje të koalicionit “Malësia na bashkon” erdhën për të votuar edhe shumë shqiptarë nga diaspora.

Pas 62 vitesh, në Shtatorin e 2018-s u vendos që Tuzi të jetë njësi administrative lokale më vete, e pavarur nga Podgorica. Ky vendim është cilësuar si fitorja e parë e banorëve shqiptarë që përbëjnë 70% të popullsisë dhe që e kërkonin këtë prej 3 dekadash.