Kryesore Shtyhet për në tetor vendimi për hapjen e negociatave, ja shtetet që...

Shtyhet për në tetor vendimi për hapjen e negociatave, ja shtetet që ishin kundër

Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, në fund të takimit dy ditor të zhvilluar në Luksemburg, ka shtyrë për në muajin tetor vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Këshilli u shpreh për Shqipërinë se “duke rikonfirmuar konkluzionet e tij të 26 qershorit 2018, Këshilli merr parasysh rekomandimin pozitiv të Komisionit për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë bazuar në vlerësimin e tij pozitiv për progresin e bërë dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Këshilli. Për shkak të kohës së kufizuar në dispozicion dhe rëndësisë së çështjes, Këshilli do t’i kthehet çështjes me qëllim që të arrijë një vendim të qartë dhe thelbësor sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më vonë se tetori 2019.”

Gjatë fjalës së tij, Eurokomisioneri Johanes Hahn u shpreh se disa vende janë shprehur skeptike në lidhje me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Duhet më shumë kohë për raportin e KE i cili jep vlerësimin pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Holanda, Danimarka, Franca dhe Gjermania kanë kërkuar që çështja e zgjerimit të lidhen me zhvillimet në secilin vend dhe kanë kërkuar më shumë përpjekje”, u shpreh eurokomisioneri.

I pyetur nga gazetarët nëse kriza politike në Shqipëri ndikon në vendimin për negociatat, eurokomisioneri u shpreh se vendi ynë ka pasur kushte specifike të cilat i ka plotësuar, megjithatë situata aktuale nuk mund të anashkalohet.

“Sot që shikoni Shqipërinë mund të jeni të shqetësuar për krizën politike. Por duhet ndarë ajo që është dakordësuar mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Janë 5 prioritete që Shqipëria duhet t’i realizonte. Shqipëria i ka realizuar, në veçanti reformën në drejtësi. Por nuk mund të injorojmë krizën politike. Situata e brendshme politike e Shqipërisë ka ndikuar tek vendet e BE-së”, tha Hahn.

Megjithatë, eurokomisioneri Johannes Hahn tha se shpreson që në muajin Tetor të merret vendim pozitiv për çeljen e negociatave për vendet e Ballkanit Perëndimor.