Sport Shuhen shpresat për futbollistin Emiliano Sala

Shuhen shpresat për futbollistin Emiliano Sala

Shuhen shpresat për të gjetur gjallë futbollistin e Cardiff City, Emiliano Sala dhe pilotin e avionit. Sipas John Fitzgerald, kreu i kërkimeve nga ajri në ishujt e Kanalit Britanik, “edhe personi më i stërvitur në botë” do të mbijetonte vetëm pak orë në ujë. “Fatkeqësisht, personalisht nuk mendoj se ka shpesa. Në këtë periudhë të vitit, kushtet atmosferike jashtë janë shumë të vështira nëse je në ujë”, tha Fitzgerald.

Sulmuesi 28-vjeçar Sala dhe piloti David Ibbotson udhëtonin nga Franca në drejtim të Uellsit të hënën, kur avioni u zhduk nga radarët. Përpara se avioni i Salas të zhdukej, ky i fundit u nisi familjarëve të tij një mesazh audio në WhatsApp. Mediat argjentinase raportojnë se 28-vjeçari u tha familjarëve se ndihej i frikësuar. “Jam në një avion dhe duket sikur do shpërbëhet”, tha sulmuesi.

Sipas BBC, gjatë ditës së mërkurë 3 avionë dhe një helikopter ishin pjesë e operacionit të kërkimit të avionit Piper Malibu. Fatkeqësisht deri më tani nuk ka ende asnjë gjurmë të mjetit, ndërsa kërkimet vijojnë.

Sala ishte nisur drejt kryeqytetit të Uellsit, pasi firmosi një kontratë prej 15 milionë paund me ekipin e Cardiff, duke u larguar nga klubi francez i Nantes.