Ekonomi Si mashtruan kompanitë celulare me ofertat

Si mashtruan kompanitë celulare me ofertat

Dyshime për oligopol mes tre kompanive të mëdha celulare. Ky është përfundimi i hetimit paraprak të Autoritetit të Konkurrencës. Raporti i Hetimit Paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, të cilin “TemA Tv” e disponon, thekson se “nuk u gjetën prova direkte apo indirekte që të provojë një marrëveshje apo sjellje të bashkërenduar në kundërshtim me ligjin”, por dyshohet për sjellje oligopoli. Prandaj, thekson raporti, “Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të monitorojë tregun me pakicë të shërbimeve celulare për një periudhë 1 (një) vjeçare, e cila fillon nga data 1 Tetor 2017”. Hetimi paraprak për të parë nëse ka, ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës u krye në periudhën 1 janar 2016 deri në 23 maj 2017. Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës ka zbuluar se si janë mashtruar qytetarët shqiptarë nga tre kompanitë e mësipërme.

Kohëzgjatja e paketave

Ndërmarrja Albtelecom më 15 Mars të vitit 2016 ka ndryshuar numrin e ditëve që paketat mbulonin duke u bërë nga mujore (30 ditore) në 4-javore për paketat Cupid, Paketa 800, Paketa 1000, Paketa 1200 dhe Paketa 1600, ndërkohë që çmimi i paketave dhe njësitë nuk kanë ndryshuar. Gjithashtu për të gjitha paketat, për një periudhë prej 2.5 muaj pas ndryshimit të afatit të përdorimit të paketave, Albtelecom i ofroi abonentëve të vet për çdo aktivizim të paketave, 20 minuta ndërkombëtare dhuratë.

Ndërmarrja Telekom më 21 Mars të vitit 2016 ka ndryshuar numrin e ditëve që paketat mbulonin duke u bërë nga mujore (30 ditore) në 4-javore për paketat Vitamina, Medium, Large dhe XLarge, ndërkohë që çmimi i paketave dhe njësitë nuk kanë ndryshuar. Për paketat L dhe XL ky reduktim i numrit të ditëve është shoqëruar me një rritje në numrit të sms-ve ndër/kombëtare të ofruara.

Ndërmarrja Vodafone më 23 Mars të vitit 2016 ka ndryshuar numrin e ditëve që paketat mbulonin duke u bërë nga mujore (30 ditore) në 4-javore për paketat Club Extreme/Basic, Club Mix, Club Superior dhe Club Extra, ndërkohë që çmimi dhe njësitë e paketave nuk kanë ndryshuar. Për paketat Club Mix, Club Superior dhe Club Extra ka patur një rritje në numrit të sms-ve ndër/kombëtare të ofruara.

Referuar sa më sipër, në Mars të vitit 2016 tre prej kompanive celulare kanë ndryshuar vlefshmërinë e paketave kryesore standarde në harkun kohor të tetë ditëve, përkatësisht Albtelecom me 15 Mars 2016, Telekom me 21 Mars 2016 dhe Vodafone me 23 Mars 2016. Ndryshimi i bërë në këtë periudhë konsiston në ndryshimin e periudhës së mbulimit të paketave nga 30 ditë në 28 ditë,

‘Sjellja e mësipërme, mund të shpjegohet nga ndërlidhja oligopolistike ku ndërmarrjet përshtatin strategjinë e tyre në kuadër të informacionit të plotë ndaj konkurrentëve të tjerë dhe efekteve të tyre në njësi dhe tarifa Ky ndryshim i kohëzgjatjes së paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë bën që konsumatori të faturohet rreth 13 muaj në vit në vend të 12 muajve, duke çuar në një rritje vjetore prej rreth 6.5% të buxhetit të shpenzuar nga konsumatori për këtë shërbim’- theksohet në raportin që publikon TemA TV.

Më tej AK shton se “Për ndryshimin e kohëzgjatjes së paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë vlerësojmë se kjo praktikë mund të prekë dhe tregje të tjera në fushën e telekomunikacionit si p.sh. interneti, telefonia fikse, paketat televizive, etj., gjë e cila do të shkaktonte probleme në terma të transparencës dhe krahasueshmërisë së informacionit për pajtimtarët e tyre në lidhje me tarifat e aplikuara për shërbimet e ofruara nga operatorët në sektorin e telekomunikacionit. Referuar sa më sipër, duke qenë se kjo praktikë mund të prekë edhe tregje të tjera në fushën e telekomunikacionit, vlerësojmë që AKEP-i, si organ rregullator i tregut të komunikimeve elektronike në kuadër të kompetencave të tij për mbrojtjen dhe garantimin e mirinformimit të konsumatorit duhet të kryejë vlerësimin e paketave 28 ditore dhe 30 ditore për të parë nëse ka efekte negative për konsumatorin”. “Vlerësojmë që tregu përkatës nën hetim të mbetet nën monitorim për të parë në vazhdimësi sjelljen e ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në këtë treg”, thuhet në raportin e sipërcituar. “Sjellja e mësipërme mund të shpjegohet nga ndërlidhja oligopolistike ku ndërmarrjet përshtatin strategjinë e tyre në lidhje me kombinimin e shërbimeve brenda paketave standarde. Ofrimi i paketave me tarifë të përcaktuar për të gjithë njësitë e paketës dhe jo me çmim të detajuar për çdo element të saj (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.) krijon konfuzion për konsumatorët”, raporton Autoriteti i Konkurrencës.  Sipas parimeve të OECD, kur konsumatorët nuk kanë informacion të mjaftueshëm, ose cilësia e tij është keq informuese ata mund të krijojnë konfuzion nga ofertat dhe të paguajnë më tepër ose mund të blejnë shërbime të cilat nuk i nevojiten. Fuqia e konsumatorëve dhe mbrojtja e tyre është shumë e rëndësishme nga aspekti ekonomik dhe social. Në bazë të ligjit është përcaktuar: “Për të gjitha shërbimet që i ofrohen konsumatorëve është i detyrueshëm shënimi i çmimit të shërbimit të ofruar. Nëse shërbimi përbëhet nga disa pjesë të ndryshme e të veçanta, jepen çmimi i secilës prej tyre dhe çmimi përfundimtar. Nëse në çastin e lidhjes së kontratës nuk është dhënë ende çmimi përfundimtar, ofruesi i shërbimit është i detyruar të tregojë metodën e përllogaritjes së tij. Referuar paketave standarde të ofruara nga operatorët e telefonisë celulare rezulton se nga ana e tyre nuk jepet asnjë informacion për konsumatorin lidhur me çmimin për njësi për elementët që paketat përmbajnë, e cila do t’u jepte mundësi atyre të zgjidhnin në mënyrë objektive paketën që ju përshtatet nevojave të tyre. Kjo praktikë tregtare dobëson ndjeshëm aftësinë e konsumatorit për marrjen e një vendimi lidhur me zgjedhjen e paketës që i përshtatet më mirë nevojave të tij. “Për sa më sipër, lidhur me informacion e plotë dhe transparent për konsumatorët nevojitet ndërhyrja e Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit, si organ vendimmarrës në kuptim të Ligjit Nr. 9902/2008, për të detyruar operatorët e telefonisë celulare bërjen transparent të çmimit për njësi për çdo shërbim të përfshirë në paketat e hedhura në treg”, thekson raporti.

Lidhur me ndryshimin e kohëzgjatjes së paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë, AKEP-i në raportin e tij vjetor për vitin 2016 shprehet se: “Ndryshimet e ndodhura në Mars të vitit 2016 përfshijnë ndryshimin nga Albtelecom, Telekom Albania dhe Vodafone të afatit të përdorimit të ofertave mujore nga 30 ditë në 28 ditë. Ndryshimi i afatit rezulton të jetë bërë për shkaqe kompatibiliteti të afateve (ditore, javore dhe 4 javore) si dhe është në vijim të praktikave të përdorura edhe nga operatorë celularë në vende të tjera evropiane.”

“Internet pa limit”

Në lidhje me ndryshimet e kryera nga tre operatorë celularë në periudhën 24 Mars- 5 Prill 2017, AKEP-i sqaron, si më poshtë:

1) “Nga komunikimet me operatorët sipas AKEP rezulton se kjo shprehje “Internet pa limit” është hequr pasi krijon konfuzion te shumë përdorues, të cilët prisnin të konsumonin me shpejtësi të lartë Internet pa limit. Operatorët nuk kanë ndryshuar sasinë e përfshirë me shpejtësi të lartë 3G/4G, por kanë hequr vetëm pjesën me shpejtësi të reduktuar. Pra nuk ka ndryshim në sasinë e GByte me akses broadband celular, por vetëm heqje të aksesit narroëband celular (me shpejtësi të ulët).

Në lidhje me kuadrin ligjor, AKEP sqaron se është organ rregullator që mbikëqyr zbatimin e Ligjit Nr. 9918/2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, ndërsa zbatimi i Ligjit Nr. 9902/2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve” është kompetencë e MZHETTS dhe Komisionit përkatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Në lidhje me zbatimin e detyrimeve për transparencë të tarifave . Por sipas ligjit, sipërmarrësit janë të detyruar të paraqesin në AKEP informacionin mbi mënyrën e publikimit të tarifave dhe shërbimeve, si dhe çdo ndryshim të tyre. Ky informacion duhet të dërgohet në AKEP në rrugë elektronike dhe/ose shkresore, jo më vonë se 3 ditë pas bërjes efektive të tarifave/ndryshimeve. Pra, referuar sa më sipër, të gjitha ndryshimet e ndodhura në paketat standarde nga

ana e ndërmarrjeve nën hetim, janë njoftuar në AKEP 3 (tre) ditë pas hyrjes së tyre në fuqi. Parë nga këndvështrimi i konkurrencës, duke qenë se AKEP-i si rregullator i tregut vepron ex ante për parandalimin dhe identifikimin e sjelljeve kundër konkurrencës , vlerësojmë se njoftimi për ndryshimin e paketave standarde duhet të kryhet para bërjes efektive të tyre në treg, gjë e cila do ti jepte mundësinë AKEP-it që të kryente një vlerësim paraprak të tyre.

Çmimet

Në analizën e tregut 2016, vetë AKEP-i ka evidentuar si problematikë diferencën e lartë të tarifave për shërbimet e konsumuara për njësi (lekë/minutë, SMS) me tarifat e shërbimeve të përfshira në pagesën fikse si pjesë e ofertave. Këto tarifa aplikohen nëse përdoruesi me parapagim nuk blen paketa/oferta ose pasi ka konsumuar njësitë përkatëse të përfshira në çmimin e paketës/ofertës, si dhe për përdoruesit me kontratë pas konsumit të njësive të përfshira në pagesën fikse mujore dhe/ose të paketave/opsioneve shtesë që mund të blejë kjo kategori përdoruesish.

Këto tarifa rezultojnë të jenë shumë herë më të larta se tarifat mesatare që aktualisht paguajnë përdoruesit celularë. Çmimi që një përdorues celular ka paguar mesatarisht për një minutë thirrje telefonike nga rrjete celulare në vitin 2015 ishte 2.83 lekë/minutë me TVSH, ndërsa tarifat standarde të thirrjeve jashtë paketave janë deri 14 herë më të larta se kjo vlerë mesatare. Në mënyrë të ngjashme edhe tarifimi për aksesin broadband jashtë paketave tregon për nivel shumë të lartë të tyre dhe diferenca të mëdha me aksesin broadband në paketa (parapagim/paspagim).

Referuar sa më sipër, tarifat standarde të aplikuara nga operatorët e telefonisë celulare janë disa herë më të larta se tarifa e terminimit të thirrjeve (1.48 lekë/min). Lidhur me këtë segment të vogël tregu, AKEP-i, si rregullator i këtij tregu, me qëllim zhvillimin e tij në kuadër të mbrojtjes së interesave të konsumatorëve duhet të ndërhyjë për të nxitur rritjen e tij dhe orientimin drejt kostos.

Burimi: TemaTv