Ekonomi Si të menaxhojmë paratë: Nisin ditët e edukimit financiar për fermerët shqiptarë

Si të menaxhojmë paratë: Nisin ditët e edukimit financiar për fermerët shqiptarë

“Dallimi i vetëm thelbësor midis suksesit dhe dështimit financiar është se sa mirë i menaxhoni paratë”, shprehet T. Harv Eker, shkrimtar. Mbi këtë temë do të organizohen Ditët e Edukimit Financiar dhe Dixhital në degët e FED invest nga data 17 maj – 25 prill. Në fokus do të jenë fermerët shqiptarë për marrjen e sa më shumë njohurive në këtë drejtim por dhe pjesëmarrës të tjerë.

“Problemi kryesor sot, në shkallë globale, sidomos në Shqipëri, është mungesa e njohurive financiare, gjë që kushtëzon, përveç të tjerave, edhe shkallën e përfshirjes financiare dhe ndërveprimit me institucionet financiare. Takime të tilla do të organizohen në mënyrë periodike, me anëtarët e Unionit dhe të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të mësojnë më shumë lidhur me shërbimet e reja digjitale dhe maksimizimin e marrëdhënies me institucionet financiare”, theksojnë organizatorët.

Në kuadër të projektit FiAS (përfshirja financiare e fermerëve të vegjël shqiptarë), janë përgatitur module të edukimit financiar për kreditë, kursimet, llogaritë rrjedhëse, manaxhimin e investimit në fermën bujqësore, llogaritë rrjedhëse dhe përdorimin e shërbimit online. Krahas broshurave edukuese, janë përgatitur edhe video praktike demonstruese, me shpjegime të qarta për përdorimin e këtyre shërbimeve. Të gjitha këto materiale dhe video janë bërë të aksesueshme nga platformat e www.fedinvest.al dhe www.abaonline.al dhe kanale të tjera digjitale.

Projekti i FiAS (Përfshirja financiare e fermerëve të vegjël shqiptarë) është një projekt bashkëpunimi teknik, mbështetur nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) dhe zbatuar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Shqipëri. Projekti synon të përmirësojë përfshirjen financiare të familjeve të vogla fermere në Shqipëri, duke zhvilluar produkte dhe shërbime të reja financiare dhe jo financiare që i përgjigjen në mënyrë fleksibile nevojave të fermerëve.