Bota Sinjal alarmues nga Antarktida, termometri shkon në 18 gradë

Sinjal alarmues nga Antarktida, termometri shkon në 18 gradë

Nga Antarktida vijnë sinjale alarmante për ngrohjen globale. Sipas shkencëtarëve, këtë javë termometri në kontinentin e akullt të Polit të Jugut shënoi temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë, 18.3 gradë Celsius.

“Nuk është një shifër normale dhe nuk ka lidhje as me periudhën e vetës në Antarktidë. Kjo thyen rekordin e mëparshëm prej 17.5 gradë Celsius të shënuar në 2015-ën”, tha Clare Nullis, zëdhënëse e Organizatës Botërore Meteorologjike.

Shtimi me 0.8 gradë i rekordit të temperaturës së lartë për këtë kontinent ngre shqetësimin e shkrirjes me ritme të shpejta të akujve. Kështu kontinenti nuk do të jetë më krejtësisht i bardhë kur të shihet nga sateliti, por me copëza të mëdha akulli që tkurren nga viti në vit.

Kjo sipas shkencëtarëve, do ta ngrejë nivelin e detit me tre metra brenda pak shekujve, duke përmbytur shumë metropole të botës, si Nju Jorku, San Francisko, Tokio, e shumë e shumë qytete të tjerë bregdetarë.

I njëjti fenomen ndodh edhe në Polin e Veriut, ku masivi i akullit po zvogëlohet dhe ku Korrikun e vitit të kaluar, u shënua një rekord temperature prej 21 gradësh.