Kosova Situata e tensionuar në Veri, NATO dërgon forca shtesë në Kosovë

Situata e tensionuar në Veri, NATO dërgon forca shtesë në Kosovë

NATO ka dërguar forca shtesë në Veri të Kosovës. Në një njoftim, Aleanca bën të ditur se forcat janë nisur në përgjigje të tensioneve dhe të plagosjes së 30 anëtarëve të tyre në Kosovë.

Drejt Veriut, NATO ka nisur Forcat Rezervë Operacionale për Ballkanin Perëndimor, të cilat siç bëhet e ditur, ishin në gatishmëri prej shtatë ditësh.

Ndërkohë, një batalion rezervë forcash shumëkombësh janë urdhëruar që ta ndryshojnë statusin e tyre në “gatishmëri për t’u vendosur” nga 14 në 7 ditë në mënyrë që të jenë gati për të përforcuar forcat e KFOR-it nëse do të jetë e nevojshme.

“Dislokimi i forcave shtesë të NATO-s në Kosovë është një masë kujdesi për t’u siguruar që KFOR-i ka kapacitetet që i duhen për të garantuar sigurinë në përputhje me mandatin tonë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, deklaroi Admirali Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli.

Të hënën pati përplasje të forta mes protestuesve serbë dhe forcave të KFOR-it. Të paktën 30 ushtarë dhe dhjetëra protestues kanë mbetur të plagosur. Diplomatët perëndimorë kanë dënuar dhunën në Zveçan dhe kanë kërkuar çtensionimin e situatës.

Tensionet në Veri të Kosovës vijojnë të jenë të larta që prej 26 Majit. Edhe pse për momentin situata paraqitet më e qetë, godinat komunale në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok janë siguruar nga forcat e KFOR-it dhe policisë së Kosovës. Aty është vendosur edhe një perimetër sigurie teksa forcat e KFOR janë në gatishmëri. I vetmi incident deri më tani është raportuar nga Leposaviçi ku janë sulmuar ekipet e mediave të Kosovës me vezë dhe gurë.