Sport Manovra e rrogave, Juventusi pranon heqjen e 10 pikëve, gjobitet me 718...

Manovra e rrogave, Juventusi pranon heqjen e 10 pikëve, gjobitet me 718 mijë euro

Çështja kundër Juventusit ka marrë verdiktin e formës finale. Kjo për faktin se klubi bardhezi ka pranuar të bëjë marrëveshje me prokurorinë federale, duke i dhënë fund hetimit sportiv.

Skuadra torineze pranoi dënimin me heqjen e 10 pikëve për plusvalencat në bilance nga shitja e lojtarëve dhe u gjobit edhe me 718 mijë euro për manovrën e rrogave. Në këmbim, bardhezinjtë pranuan të mos bëjnë asnjë lloj apelimi të vendimeve të prokurorëve.

Marrëveshja ndërmjet palëve u pranua edhe nga Gjykata federale, me çështjen që tashmë mund të cilësohet e mbyllur. Duke pranuar marrëveshjen me prokurorët, Juventusi pranoi që heqjes së dhjetë pikëve në renditje i ka kaluar afati i rigjykimit.

Ndërkohë, gjoba prej 718 mijë eurove e dhënë për manovrat me rrogat e lojtarëve, duhet të ndahet mes klubit dhe drejtuesve të përfshirë. Me zhvillimin më të fundit, Juventusi është zyrtarisht jashtë Champions Leage. Bardhezinjtë pranuan ta mbyllin çështjen për të evituar penalizime në sezonin e ri.

Megjithatë, rreziku i përjashtimit nga kupat e Europës ende nuk është larguar. Edhe pse në bazë të renditjes skuadra e Allegrit mund të besojë te pjesëmarrja në Europa League, ose të paktën në Conference League, fjalën e fundit do ta thotë UEFA. Përjashtimi nga arena ndërkombëtare prej hetimit të konfederatës europiane të futbollit mbetet ende një mundësi aktuale.