Aktualitet SPAK këmbëngul të hetojë Fatmir Mediun, apelon vendimin e Gjykatës

SPAK këmbëngul të hetojë Fatmir Mediun, apelon vendimin e Gjykatës

SPAK ka apeluar vendimin e Gjykatës së Posaçme për të mos rihetuar ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Më 27 Korrik, GJKKO rrëzoi kërkesën e SPAK për rihapjen e hetimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes. Një nga argumentet e Gjykatës ishte fakti se ishte parashikuar vepra penale pasi kanë kaluar 10 vite që nga shpallja e vendimit të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes.

Po ashtu sipas gjyqtarit Erjon Çela, kërkuesi, Prokuroria, viktimat apo trashëgimtarët e tij që të mundësohet rihapja e çështjes kërkohet paraqitja e provave të reja.

Gjykata e Lartë 2 muaj më parë shpalli moskompetencën për t’u shprehur lidhur me kërkesën e SPAK-ut për rihapje të dosjes për ish-ministrin dhe çështja i kaloi Gjykatës së Posaçme.

Rihetimi i Fatmir Mediut u kërkua nga SPAK, pasi e akuzon si një nga ish-zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit.

Kërkesa e SPAK erdhi pas depozitimit të kërkesës së Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindër të një prej viktimave të Gërdecit që humbi jetën në moshën 7-vjeçare. Sipas tyre, çështja “Gërdeci” është hetuar nga një ‘bandë’, ndaj kërkuan që të vendoset drejtësi.