Aktualitet SPAK, operacion në Vlorë: Arrestohen dy persona, në kërkim dy doganierë

SPAK, operacion në Vlorë: Arrestohen dy persona, në kërkim dy doganierë

Godina e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)

Prokuroria e Posaçme ka finalizuar në Vlorë në bashkëpunim me policinë operacionin “Porti” dhe ka vënë në pranga 2 persona, ndërkohë që ka shpallur në kërkim 2 punonjës të Doganës.

Sipas një njoftimi të SPAK thuhet se është vënë në pranga Arian Kasëmi dhe Skënder Kasëmi. Ata dyshohet se kanë futur në Shqipëri nëpërmjet ryshfetit produkte kontrabandë.

Ndërkohë në kërkim janë shpallur Aurel Nebiu dhe Mustafa Meçaj, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin në pasi merrnin ryshfetin lejonin kalimin e produkteve kontrabandë.

“Më datë 15.04.2022, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë në kuadër të Procedimit Penal Nr 23 të vitit 2022, pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u bë finalizimi i Operacionit “Porti”, duke bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Arian Muhamet Kasëmi, i datëlindjes 31.12.1963, banues në Vlorë, dhe shtetasit Skënder Fatmir Kasëmi, i datëlindjes 04.10.1990, banues në Vlorë, të cilët dyshohet në bashkëpunim njëri tjetrin nëpërmjet ryshfetit ndaj punonjësve të Drejtorisë Doganore Vlorë, fusnin në territorin Republikës Së Shqipërisë produkte kontrabandë.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasve Aurel Nebiu Nebiu, i datëlindjes 01.12.1976, banues në Vlorë, dhe Mustafa Lame Meçaj, i datelindjes 04.01.1958, banues në Vlorë, me detyrë punonjës pranë Drejtorisë Doganore Vlorë, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin në kembim të ryshfetit lejonin kalimin e produkteve kontrabandë”, thuhet në një njoftim.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kryerjen veprimeve të mëtejshme për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.