Politika SPAK thërret Fatmir Mediun për çështjen e Gërdecit

SPAK thërret Fatmir Mediun për çështjen e Gërdecit

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka thirrur këtë të martë ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Mediu është thirrur për dosjen e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën disa të tjerë.

Pritet që ditën e sotme ai te merret në pyetje pas pranimit të kërkesës së SPAK-ut për rigjykim, por nuk përjashtohet mundësia që ish-ministrit t’i komunikohet edhe mbyllja e hetimeve.

Çështja ndaj ish-ministrit Mediu është rihapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.

Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta rigjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.

Gjykata pati arsyetuar se mungesa e imunitetit të Mediut, sidomos pas vitit 2019, nuk e ka penguar prokurorinë të nisë procedurat.

Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës.