Aktualitet “Specialisti i Antidrogës dyshohet se organizonte shpërndarjen e drogës në Durrës”

“Specialisti i Antidrogës dyshohet se organizonte shpërndarjen e drogës në Durrës”

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat bëri të ditur sot se një punonjës policie në Durrës është pezulluar nga detyra dhe është vendosur nën akuzë për shkak të dyshimeve se është përfshirë në shitje droge.

E.S., i cili kryente funksionin e specialistit për narkotikët në Drejtorinë Vendore Policisë Durrës akuzohet për veprat e “Shpërdorimit të detyrës“ dhe “Prodhim e shpërndarje të lëndëve narkotike”.

Pas një hetimi disa mujor me metoda speciale, rezulton se E.S., gjatë ushtrimit të detyrës, ky punonjës policie dyshohet se organizonte persona për të shpërndarë lëndë narkotike në vende të ndryshme të qytetit të Durrësit, të cilët nga ana tjetër i jepnin informacione për shpërndarës të tjerë, me qëllim goditjen e tyre nga ana e punonjësit të Policisë.

Gjithashtu, specialisti i Antidrogës në bashkëpunim me këta shtetas, organizohej duke i veshur me uniforma policie për të bërë të mundur kapjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike dhe më pas i lironin duke mos ushtruar ndjekje penale ndaj tyre.

Mbi bazën e regjistrimit të procedimit penal dhe në përfundim të hetimeve paraprake, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës vendosi caktimin në mungesë të masës së sigurimit personal ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik” ndaj shtetasit E.S., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”. Për bashkëpunëtorët e tij, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.