Aktualitet Studimi: Mbi 20 milionë vjet jetë të humbura nga koronavirusi

Studimi: Mbi 20 milionë vjet jetë të humbura nga koronavirusi

Më shumë se 20.5 milionë vjet jetë mund të kenë humbur nga pandemia e koronavirusit.

Kështu deklaron një studim i ri i botuar në revistën shkencore Nature, dhe që analizon vdekjet nga pandemia në 81 vende të botës.

Hulumtuesit vlerësojnë se në total, 20,507,518 vjet jetë mund të kenë humbur për shkak të koronavirusit, një mesatare prej 16 vjetësh për çdo vdekje individuale.

Studimi tregon se koronavirusi ka shkaktuar një dëm më të madh pasi në shtetet më të prekura, numri i viteve të jetës së humbur nga Covid është midis dy dhe nëntë herë më shumë sesa nga gripi sezonal.

Burrat janë shumë herë më të prekur se gratë dhe numri më i madh i viteve të humbura të jetës ishte mes njerëzve midis moshave 55 dhe 75 vjeç.

Studimi zbuloi se pjesa më e madhe e viteve të jetës së humbura në vendet më të pasura ishte nga njerëz të moshuar, por në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, humbja më e madhe e viteve të jetës ishte nga individë që ndërruan jetë në moshën 55 vjeç ose më të rinj.

Studiuesit gjithashtu vërejnë se rezultatet “konfirmojnë ndikimin e madh të vdekshmërisë së COVID-19 midis të moshuarve” dhe bëjnë thirrje për ngritjen e vetëdijes në hartimin e politikave që mbrojnë demografitë e prekshme.