Suedia është një nga të paktat vende që kanë refuzuar deri tani strategjinë e izolimit, duke lënë të hapur pothuajse gjithçka. Epidemiologu Anders Tegnell është në krye të emergjencës koronavirus, me të cilën po përballet Stokholmi: “Nuk ia vlen të mbyllim gjithçka”
Kreu i Agjencisë së Shëndetit Publik në Suedi ka një qasje tjetër nga ajo që po ndjek pjesa më e madhe e Europës. Në daljet e tij të përditshme në televizion, ai shpjegon se ka vendosur të heqë dorë nga çdo masë që kufizon liritë e qytetarëve. “Është e kotë të mbyllim çdo gjë dhe të izolohemi”, thotë ai në një intervistë të botuar në “Corriere della Sera”.
Jeta ka vazhduar si zakonisht në Suedi, përkundër faktit se që nga rasti i parë Covid-19, më 31 janar deri tani, janë infektuar 6,443 pacientë. Prej tyre, 393 janë në kujdes intensiv dhe 373 kanë vdekur. “Përpjekja për të ndaluar epideminë mund të jetë kundërproduktive – shpjegon Tegnell në telefon – sepse pasi të fillojë zinxhiri i infeksionit, ka mundësi që situata vetëm të përkeqësohet”.
Por të gjitha vendet në kufi me Suedinë kanë vendosur të mbyllin kufijtë dhe të kufizojnë lëvizjen e njerëzve. A nuk shqetësoheni se jeni i vetmi ndër fqinjët që nuk keni aplikuar mbylljen?
Nuk jam aq i sigurt se ajo që ne po bëjmë po ndikon shumë në përhapjen e infeksionit. Nuk do të isha i befasuar nëse do të përfundonte në të njëjtën mënyrë për të gjithë, pavarësisht nga masat që kemi marrë. E vërteta është se ne nuk dimë pothuajse asgjë për Covid-19, dhe secili vend po eksperimenton me zgjidhje të ndryshme, në varësi të situatës.
Dhe cila është situata në Suedi tani?
Ne regjistruam 407 raste të reja të martën, gjysma e tyre në Stokholm, ku situata po bëhet e tensionuar. Dhe në Stokholm ne synojmë të bëjmë teste në grupe me të paktën 600-700 njerëz për t’u përpjekur të kuptojmë se cili është shkalla e imunitetit që ka arritur popullata.
Mund të më shpjegoni pse mbani gjithçka të hapur?
Nuk është tërësisht e vërtetë, para së gjithash. Ne kemi ndaluar tubimet me më shumë se 50 njerëz që nga e premtja e kaluar, duke shtyrë të gjitha ngjarjet sportive dhe demonstratat politike. Për një javë, ne kemi prezantuar kufizime në të gjitha baret dhe klubet që të mos u shërbejnë klientëve, nëse nuk janë në tryezë. Janë miratuar incentiva për të mbështetur punëtorët të qëndrojnë në shtëpi nëse kanë simptomën e parë të sëmundjes, dhe shkollat dhe universitetet tani bëjnë vetëm mësim në distancë. Evolucioni i epidemisë na detyron të zgjedhim përgjigjen më të përshtatshme dita-ditës.
Të gjitha vendet e tjera megjithatë janë izoluar.
Ne nuk mund ta ndalojmë ekonominë për një periudhë të pakufizuar. Herët a vonë do të detyroheshim të rihapnim gjithçka, dhe mund të përballemi me një situatë edhe më të keqe. Për shkak se ne ende nuk mund të përjashtojmë rrezikun e përsëritjes, ne nuk kemi informacion të mjaftueshëm në lidhje me virusin. Dhe, në këto kushte është sistemi ynë që parandalon qeverinë të vendosë masa të jashtëzakonshme në administratat lokale. Ne kemi ftuar të gjithë qytetarët të kufizojnë udhëtimet dhe të mos udhëtojnë, por ato janë të gjitha indikacione, jo imponime.
Çfarë ndodh me ata që infektohen?
Ne u kemi thënë që të qëndrojmë në shtëpi nëse shfaqin simptoma dhe të informojnë mjekun për ecurinë e sëmundjes. Në rast përkeqësimi, ne e vazhdojmë trajtimin në spital. Në dy javët e fundit ne kemi dyfishuar të gjitha pikat e kujdesit intensiv në të gjithë Suedinë, dhe për këtë arsye kemi akoma kontrollin e situatës.
Por a ka shpërthime më akute të infeksionit?
Pothuajse gjysma e të gjitha rasteve kanë ndodhur në rajonin e Stokholmit, ku shkalla e infeksionit është dyfishuar ose madje është trefishuar gjatë javës së kaluar. Këtu duhet të studiojmë më mirë se çfarë po ndodh. Por duhet të thuhet qartë se në të gjitha rastet e vdekjeve, duke filluar nga pacienti i parë që vdiq më 11 mars, mosha e të sëmurëve ishte mbi 80 vjeç, dhe shumica kishin një gjendje shëndetësore tashmë të komprometuar nga patologjitë e tjera.
A po na thoni që është thjesht një grip …?
Jo, por për një përqindje të konsiderueshme të pacientëve, ky infeksion dobësohet pas 4 ose 5 ditësh me temperaturë të lartë. Dhe shumë prej të prekurve nuk kanë asnjë simptomë.
Dhe pasi të shërohen, çfarë ndodh?
Dy ditë pas zhdukjes së simptomave, pacienti mund të rifillojë jetën e tij të mëparshme dhe të kthehet në punë.
Por nuk rrezikoni të përhapni infeksionin më tej?
Ne nuk kemi informacion të mjaftueshëm për Covid-19 për ta mbështetur këtë teori, dhe përvoja e deritanishme na tregon se nuk ka qenë e nevojshme për ta zgjatur izolimin.
Si e shpjegoni vdekshmërinë e lartë në Itali?
Ishte një fatkeqësi. Spitalet nuk ishin të përgatitura për një epidemi, dhe ato janë kthyer në gjenerues të infeksionit.
Imperial College në Londër vlerëson se strategjia e izolimi u ka shpëtuar jetën 120 000 njerëzve deri më tani, përfshirë 38 000 italianë. Jeni dakord me këtë?
Shumë kolegë të mitë e kanë lexuar këtë studim dhe e ndajnë të njëjtin skepticizëm me mua. Unë mendoj se britanikët kanë zgjedhur një seri variablash që kanë prodhuar një parashikim kaq pesimist, por ata mund të kishin zgjedhur në të një njëjtën kohë indikatorë të ndryshëm, për të arritur në një rezultat të kundërt. Nuk është një studim i certifikuar nga të tjerë, mund të jetë i duhuri, ose të provohet plotësisht i gabuar. Por në Suedi jemi të befasuar që ka pasur një rezonancë të tillë.