Bota “Super e marta”, Joe Biden bën kthesën e madhe me një sërë...

“Super e marta”, Joe Biden bën kthesën e madhe me një sërë fitoresh, por Sanders mbetet aty

Joe Biden fitoi nëntë nga 14 shtetet që votuan për nominimin e kandidatit demokrat që do të përballet me Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Vota në atë që njihet si “Super e marta” dhe rezultati që ajo do të prodhonte ishte vendimtare për fatin e ish-zv.presidentit amerikan.

Biden fitoi Teksasin, Karolinën e Veriut, Masaçusetsin, Minesotan, Oklahoman, Arkansasin, Tenesin dhe Virxhinian, duke korrur një fitore që e kapërcen mbi rivalin kryesor në këtë garë, Bernie Sandersin.

Megjithatë, Sanders mund të ngushëllohet pasi projeksionet parashikojnë një fitore të tij në Kaliforni, një prej shteteve që nxjerr më shumë delegatë në këto zgjedhje.

Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, miliarderi Majkëll Blumberg, megjithëse shpenzoi rreth 500 milionë dollarë në këtë fushatë nuk arriti që të fitojë në asnjërin prej shteteve.

“Super e marta” përcakton 1300 delegatë nga 1991 që nevojiten për të siguruar në muajin korrik nominimin zyrtar për kandidat për Shtëpinë e Bardhë. Aktualisht, Joe Biden kryeson me 396 delegatë ndjekur nga Bernie Sanders me 314.

Fitorja e Biden merr një rëndësi të veçantë sidomos në Virxhinia dhe Karolinën e Veriut, dy shtete që konsiderohen si thelbësore dhe përcaktuese për zgjedhjet presidenciale të 2020. “Exit Poll”-et sugjerojnë se Biden ka tërhequr pas vetes komunitete të mëdha afro-amerikanësh, një elektorat besnik i demokratëve.

“Jemi më të gjallë se kurrë! Mos na nënvlerësoni. Kjo fushatë do të paketojë valixhet e Donald Trump”, deklaroi Biden para mbështetësve të tij në Los Anxheles.

Megjithatë, gara mbetet ende e fortë. Nëse Sanders fiton Kaliforninë, ashtu siç janë projeksionet e deritanishme, atëherë ai do të ketë pas vetes 415 delegatë që ky shtet dërgon në konventën e partisë. Kjo shifër do t’i shtohet 314 delegatëve që Sanders ka fituar deri më tani.

Senatori i majtë fitoi edhe në shtetin e tij, Vermontin, bashkë me Koloradon dhe Utah. Në Teksas gara u përcaktua nga një grusht votash. Parashikimet nxirrnin fitues Bernie Sanders, por Joe Biden u shpall fitues me një diferencë të vogël ndaj rivalit të tij.

Gjatë fjalimit të fundit të tij pas votës së hedhur në “Super të martën” Sanders shënjestroi si Donald Trump, ashtu edhe Joe Biden.

“Jemi përballë sistemit politik të vjetër. Nuk mund të mposhtim të vjetrën, nuk mund të mposhtim Donald Trumpin me të njëjtat politika të vjetra”, tha Sanders.