Shpeshherë të gjithë njerëzit intrigohen nga misteri që rrethon organizatat mafioze dhe historitë e tyre. Bizneset e tyre ilegale dhe kriminaliteti janë në qendër të vëmendjes jo vetëm nga publiku, por dhe institucionet përgjegjëse për ruajtjen e rendit publik. Shpesh simbioza ndërmjet mafias dhe realitetit shndërrohet në një vështirësi më tepër në përpjekjet për ta çrrënjosur atë. Kur shqyrtojmë biografinë e bosave më të mëdhenj në botë, është e rëndësishme të njihet folklori, por gjithmonë duhet të mbajmë në fokus faktet që janë më të rëndësishme. Revista prestigjioze amerikane “TIME” jep disa informacione të përmbledhura mbi disa nga liderat më të mëdhenj të mafias botërore, gjatë dekadave të fundit. Por dy nga ata cilësohen si më të mëdhenjtë e më mëdhenjve. E kemi fjalën për Toto Rinën dhe Provenzanon.
5 – Salvatore Lo Piccolo
Folklori: Në momentin e arrestimit të tyre më 5 Nëntor, djali i Lo Piccolos bërtiti me të madhe: “Të dua babi! Të dua babi!”. Kjo lloj drame familjare pa dyshim që frymëzoi disa nga skenat dhe dialogët e serialit “Sopranot”. Por intriga u rrit disa ditë më vonë, kur policia konfirmoi se ata kishin gjetur një dokument të shkruar që besonin se bosi i Palermos u kishte shkruar mafiozëve të shqetësuar me qëllim shmangien e problemeve. Në këtë letër, përveç dhjetë urdhëresave të tilla si: “Mos lakmoni gratë e kolegëve tuaj mafiozë dhe mos vidhni nga mafiozët e tjerë”, në këtë listë nuk përfshiheshin shënime të tilla si “Mos vrisni”.
E vërteta e hidhur: Lo Piccolo-s janë dënuar të dy për vrasje. Policia beson se muaj përpara arrestimit të tyre, çifti i mafiozëve po konsolidonin pushtetin e tyre në Siçili, duke përdorur kërcënimet dhe bashkëpunimin me mafiozë amerikanë në biznesin e trafikimit të drogës.
4 – Bernardo Provenzano
Folklori: Historia e tij 43 vjeçare si i arratisur, e shndërroi këtë mafioz në një njeri të zgjuar në sytë e të tjerëve. Aftësia e tij për të shmangur autoritetet, që do të shndërrohej në kërkimin më të madh në historinë e Cosa Nostra-s, u bë legjendare ndërkohë që ai shkëputi kontaktet me familjen dhe lëvizi nga një shtëpi e Siçilisë në tjetrën. Ai ishte në gjendje të drejtonte perandorinë e mafias me ndihmën e “pizzinit”, shënime të shkruara me shkronja të vogla që dorëzoheshin dorë më dorë nga ndihmësit e tij. Devoti katolik Provenzano kishte me vete pesë Bibla në momentin e arrestimit; një prej tyre ishte e shkruar me shënime të fshehta, që besohet se ato janë një kode për disa nga sekretet më të vjetra dhe më të errëta të mafias që ai ka udhëhequr.
E vërteta e hidhur: Edhe pse njihet si njeriu që solli “Paqen mafioze” në organizatë, pas një periudhe të përgjakur, Provenzano u ngrit dhe fitoi pushtet dhe reputacion si vrasës gjakftohtë. Megjithatë, karakteristika më e veçantë e udhëheqjes së tij ishte aftësia për të vendosur dhe imponuar paqen në strukturat e mafias. “Vdiq si bos, pa thënë asnjë fjalë më shumë se ato që do të thoshte një kokë e mafias”, shkruante gazeta italiane “La Stampa” për Bernardo Provenzano-n, kapon e Cosa Nostra-s kur ai ndërroi jetë në 13 korrik 2016 në spitalin e Milanos, ku ishte shtruar pas problemeve të rënda shëndetësore.
3 – Giovanni Brusca
Folklori: I njohur dhe si “Derri” për pamjen e tij të çrregullt dhe oreksin e madh, ai është përfolur dhe për faktin e çuditshëm për “etjen për gjak”. Një herë ai ka dëshmuar se kishte vrarë ndërmjet 100 – 200 persona – ai vetë.
E vërteta e hidhur: Detajet reale të vrasjeve të tij, tregojnë se shifrat e thëna nga ai nuk janë të tilla. Brusca vrau djalin 11 vjeçar të një mafiozi rival, i cili u bë një provë fizike shtetërore pasi ishte djegur me acid. Momenti dhe ngjarja që solli shkatërrimin e tij ishte në vitin 1992, kur ai shtypi butonin që solli shpërthimin e një autostrade në Sicili, në të cilin mbeti i vdekur magjistrati Giovanni Falcone, gruaja e tij dhe pesë badiguard. “Pendesa” e tij, që në fakt i ka lejuar drejtësisë italiane të kuptojë shumë nga struktura e Cosa Nostra, që më parë ishte pothuajse e panjohur, ka mundësuar për Brusca rikthimin në liri.
2 – Toto Riina
Folklori: Momenti më kinematografik në karrierën e tij 15 vjeçare si bosi i bosave, ishte një puthje që nuk ndodhi kurrë. Një dëshmitar, renegat (tradhtar), dëshmoi se Riina ishte përshëndetur me kryeministrin italian Giulio Andreotti, me “një puthje nderi” në një mbledhje të zhvilluar në fillim të 1980-s, ku ishte diskutuar mbi të ardhmen e një procesi të rëndësishëm gjyqësor që lidhej me mafian.
E vërteta e hidhur: Ndërkohë që udhëhiqte Cosa Nostra-n nga mesi i viteve 1970 deri në fillim të 1990-s, Riina zhvilloi një luftë të përgjakshme ndërmjet rivalë të tij, por edhe me shtetin italian. Ai gjithashtu u sigurua që kishte lidhjet e nevojshme politike në Siçili; edhe pse Andreoti nuk është menduar të ketë qenë një prej tyre. Ish kryeministri ka kaluar vite të tëra nëpër gjykata duke luftuar për çështjet e lidhura me akuzat ndaj mafiozëve.
1 – Mateo Messina Denaro
Folklori: Ky bos mafioz me origjinë nga qyteti perëndimor i Trapanit, pasardhës i të sapo kapurit Lo Piccolo, është konsideruar si “Don Zhuan playboy”, me dobësi makinat sportive, orët e dorës dhe syzet e diellit.
E vërteta e hidhur: Pavarësisht shijeve të tij fine dhe luksoze, bosi kupton dhe zbaton rregullat e mafias. Sipas të dhënave, është supozuar se ai ishte pjesë e vrasjes së Falcones në 1992, dhe policia italiane beson se ai do të bëjë çfarë do të jetë e nevojshme që në të ardhmen ai të rrisë pushtetin e tij – dhe të bëhet lideri dhe udhëheqësi më i pushtetshëm i mafias. Aktualisht është lideri i Cosa-Nostra-s në Itali.