Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se nëse shoqëria nuk respekton rregullat e karantinës atëherë me miliona njerëz do të vdesin. Mesazhi është përcjellë nga një televizion shtetëror pasi Ayatollah Khamenei urdhëroi kufizimin e lëvizjes në vend. Irani është vendi më i goditur nga koronavirusi në Lindjen e Mesme me 9 raste në çdo 10 të raportuar.
Deri më tani është raportuar se deri më tani kanë vdekur 988 njerëz dhe janë raportuar si të infektuar 16 000. Shumica e të prekurve përjetojnë simptoma të lehta si temperaturë dhe kollë dhe normalizohen brenda dy javësh.
Gazetarja dhe mjekja Arfuz Eslami referoi një studim të Universitetit Sharif në Teheran sipas të cilit ka tre skenarë: “Nëse njerëzit bashkëpunojnë Irani do të ketë 120 000 të infektuar dhe 12 mijë vdekje përpara se shpërthimi të përfundojë.
Nëse ka një bashkëpunim mesatar do të ketë 300 000 raste dhe 110 000 të vdekur dhe nëse njerëzit injorojnë udhëzimet atëherë sistemi mjekësor iranian do të pësojë kolaps dhe mendohet të ketë 4 milionë të infektuar dhe 3.5 milionë do të vdesin”.
Doktoresha ka dhënë këtu një shkallë mortaliteti shumë të lartë, nga 50%-90% që nuk duket në asnjë nga vendet e prekura. Irani është një nga vendet që u godit shumë rëndë edhe nga pandemia e vitit 1918 që iu mbivendos asaj që quhet Uria Persiane nga e cila vdiqën rreth 2 milionë njerëz.