Bota Tensione në koalicionin qeverisës italian

Tensione në koalicionin qeverisës italian

Tensionet ndërmjet partive qeverisëse të Italisë kanë arritur kulmin në një takim të kabinetit gjatë natës së kaluar duke shkaktuar dyshime mbi një krizë të afërt politike në qeverinë e koalicionit populist.

Lidhja e ekstremit të djathtë (Lega Nord) dhe Lëvizja anti-establishment Pesë Yjet (L5Y) grinden prej muajsh, por fërkimet mes tyre janë rritur në prag të zgjedhjeve europiane të majit.

Në takimin e fundit të kabinetit, që u zhvillua dje në mbrëmje, Lega Nord vuri veton ndaj një pakete ndihme financiare për qytetin e Romës, e cila ka për kryebashkiake një anëtare të L5Y.

Të përditshmet e njohura italiane ”Il Messaggero” dhe ”Corriere della Sera” folën për një “luftë” ose “luftime” mbi masën e ashtuquajtur “Save-Rome” (”Shpëtoni-Romën”), ndërsa gazeta ”La Stampa” tha se ”qeveria është duke u lëkundur”.

Pas takimit të kabinetit, L5Y-ja tha se masat e lehtësimit të borxhit për Romën ishin vetëm “gjysmë të miratuara”.

Udhëheqësi i Legës, Matteo Salvini, i cili është gjithashtu zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm, ka argumentuar se Roma nuk duhet të marrë ndonjë trajtim preferencial krahasuar me komunat e tjera të ngarkuara me borxhe.