Bota Tensionet në Mesdhe, Erdogan premton dialog; Marina greke stërvitje me atë franceze

Tensionet në Mesdhe, Erdogan premton dialog; Marina greke stërvitje me atë franceze

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan deklaroi të enjten se e vetmja zgjidhje e kontestit të Turqisë me Greqinë mbi kërkimet në lindje të Mesdheut është dialogu.

Duke folur përpara anëtarëve të partisë së tij, Erdogan tha se Ankaraja dëshiron negociata dhe nuk është në kërkim të aventurave në rajon.

Ai theksoi se, tensionet janë shkaktuar nga pala greke, që sipas tij është shfaqur me një qasje “të sëmurë” në një kohë kur duhet të respektojë të drejtat e Turqisë.

“Zgjidhja e situatës në lindje të Mesdheut duhet të arrihet përmes dialogut dhe negociatave. Nëse veprojmë me mirëkuptim dhe arsyetim, atëherë mund të gjejmë një zgjidhje që kënaq interesat e të dyja palëve. Ne nuk jemi në kërkim të aventurave dhe tensioneve”, deklaroi Erdogan.

Ndërkohë, për t’i bërë kontrast ambicieve të Ankarasë, marina greke ka kryer një seancë stërvitore me atë franceze.

Stërvitja e së enjtes është treguesi i parë i zotimit të presidentit Emmanuel Macron për të përforcuar praninë e vendit të tij në lindje të Mesdheut.

Ai e diskutoi situatën e krijuar në këtë zonë në një bisedë telefonike me kryeministrin helen, Kyriakos Mitsotakis.

Menjëherë më pas, Ministria franceze e Mbrojtjes deklaroi se do të dërgonte dy avionë luftarakë të tipit “Rafale” dhe fregatën detare “Lafayette” në zonën e kontestuar mes Turqisë dhe Greqisë, për kërkimet për hidrokarbure.