Bota Thyhet rekordi në Australi, e marta, dita më e nxehtë e historisë

Thyhet rekordi në Australi, e marta, dita më e nxehtë e historisë

Australianët ju drejtuan bregdetit të martën, ndërsa vendi përjetoi ditën më të nxehtë në histori. Sipas zyrës meteorologjike temperatura mesatare arriti në 40.9 gradë celsius, duke tejkaluar rekordin paraprak prej 40.3 gradë të shënuar më 7 janar të 2013-ës.

Rekordet janë thyer edhe në qytete të veçanta, ku mërkuri i kaloi 45 gradët. Por ekspertët parashikojnë se një tjetër vlerë edhe më e lartë mund të shënohet gjatë javës, kur është parashikuar një valë edhe më intensive e të nxehtit.

Vendi po përballet me thatësirë të rëndë dhe krizë zjarresh. Ndërsa qindra vatra vazhdojnë të digjen, kryeministri Scott Morrison është kritikuar për reagimin ndaj katastrofës natyrore dhe politikat klimatike të qeverisë së tij.

Sipas zyrës meteorologjike, ndryshimet klimatike kanë ndikuar në një rritje me 1 gradë të temperaturës mesatare që nga 1910-ta. 9 prej 10 viteve më të nxehta të Australisë janë regjistruar të gjitha pas 2005-s.