Sport Tifozët e Malmos nuk përmbahen ndaj Ibrahimovic, tani i presin edhe hundën…

Tifozët e Malmos nuk përmbahen ndaj Ibrahimovic, tani i presin edhe hundën…

Vandalët i kanë prerë hundën statujës së Zlatan Ibrahimoviçit, e cila është vendosur prej disa muajsh jashtë stadiumit të Malmo, në Suedi. Në fakt, ky është akti i fundit në radhë i dhunimit të “Ibrës prej bronzi”, pasi u njoftua se sulmuesi 38-vjeçar kishte vendosur të investojë si bashkëpronar në një klub rival, muajin e kaluar. Kujtojmë se ish-sulmuesi i Suedisë bëri debutimin e tij profesional për Malmo 20 vite më parë. Pra, ka dalë që aty si futbollist. Artisti që e materializoi këtë statujë, Peter Linde, u ka bërë thirrje njerëzve që ta ndalojnë dhunën ndaj veprës së tij.

Ish-lojtari i Ajax, Juventus, Inter, Barcelona,  Milan, PSG dhe Manchester United është në kërkim të klubit të tij të radhës, pasi ka lënë LA Galaxy në fund të sezonit të MLS. Më 27 nëntor u njoftua se ai kishte blerë 25% të aksioneve Hammarby, klub që përfundoi i treti në kampionatin suedez të këtij viti. Po atë ditë, struktura prej bronzi, e lartë prej 3.5 metrash, e porositur nga Federata Suedeze e Futbollit, e inauguruar më 9 tetor, u spërkat me bojë, u zhgarravit dhe iu vendos një kapak bideje tualeti mbi krahun e saj. Shtëpia e Ibrahimovicit në Stokholm, gjithashtu, u vandalizua, me mbishkrimet “Judas” në derën e përparme.