Aktualitet Tradhtoi shokun e fëmijërisë, kush është personi i shpallur në kërkim nga...

Tradhtoi shokun e fëmijërisë, kush është personi i shpallur në kërkim nga policia për vrasjen e Eri Zefit

Policia shpalli në kërkim Mikel Alinë me akuzën se ishte pikërisht ai që nxori në pritë shokun e fëmijërisë Eri Zefi duke e çuar në vendin ku e prisnin hasmit.

40-vjeçari, me origjinë nga Domgjoni i Mirditës nxori sipas policisë Eri Zefin nga shtëpia natën e 2 tetorit duke i thënë se do të shkonin për të vjedhur një sasi lënde narkotike, por e çoi në një zonë ku edhe u torturua dhe ekzekutua me gjashtë plumba.

40 vjecari Mikel Alia, i shpallur ne kerkim nga policia

Në orët e para të 2 tetorit, Eri Zefi u gjet i ekzekutuar pak metra larg Rrugës së Kombit, në fshatin Zall-Xhuxhë të Mirditës.

Sipas raportit mjeko-ligjor, 34-vjeçari u qëllua me 6 plumba, 4 prej të cilëve e kanë kapur në kokë, ndërsa 2 të tjerët në gjoks. Vrasja rezulton të ketë ndodhur gjatë natës, pikërisht në vendin ku është gjetur trupi.

Kjo tregon se autorët e kanë marrë viktimën deri në pikën ku u gjet i vrarë dhe më pas është kryer ekzekutimi duke dashur të humbasin edhe gjurmët, për shkak të terrenit të thyer.

Gjatë hetimit, është provuar se Alia ka komunikuar në telefon dhe në mënyrë verbale me Eri Zefin, duke i kërkuar të bashkëpunojnë së bashku për të vjedhur në mesnatë një sasi të konsiderueshme hashashi në një territor malor, që ndodhet në fshatin Zallë-Xhuxhë të Mirditës.

Eri Zefi ka pranuar ofertën e mikut të tij të fëmijërisë, të cilit i besonte në mënyrë të verbër, dhe janë nisur së bashku me makinën e Zefit në vendin ku ishte caktuar për t’u kryer vrasja.