Bota Trump do të dalë nga spitali: Mos kini frikë nga COVID

Trump do të dalë nga spitali: Mos kini frikë nga COVID

Presidenti i SHBA, Donald Trump njoftoi në Twitter se të hënën në mbrëmje do të dalë nga spitali.

“Do të dal nga qendra e mrekullueshme spitalore Walter Reed në ora 18:30. Ndjehem shumë mirë! Mos kini frikë nga COVID-i. Mos ia lejoni t’ju kontrollojë jetën. Administrata Trump ka zhvilluar njohuri dhe mjekime të mrekullueshme. Ndjehem më mirë se 20 vjet më parë!” tha presidenti.

Shefi i Kabinetit i Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows tha më herët të hënën se Presidenti Donald Trump do të takohej me mjekët që po e trajtojnë atë për COVID-19 për të vlerësuar përparimin e tij dhe se administrata është “optimiste” se ai mund të dalë nga spitali sot gjatë ditës.

“Fola me presidentin në mëngjes. Gjendja e tij është përmirësuar gjatë natës dhe ai është gati të kthehet në rutinën norale të punës”, i tha zoti Meadows televizionit Fox News. “Ne vazhdojmë të jemi optimistë se ai do të jetë në gjendje të kthehet në Shtëpinë e Bardhë më vonë gjatë ditës së sotme”.

Pasi postoi në Twitter një video mbrëmjen e së dielës ku thoshte se po “merrte raporte të shkëlqyera” nga mjekët, Presidenti Trump premtoi një befasi të vogël për mbështetësit e tij jashtë spitalit ku po trajtohej për COVID-19.

Ai pastaj u largua përkohësisht nga Qendra Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed brenda një automobili të blinduar i shoqëruar nga agjentë të Shërbimit Sekret, për të përshëndetur mbështetësit që kishin ardhur jashtë spitalit dhe që brohorisnin me flamuj në duar.

“Presidenti Trump bëri një udhëtim të shkurtër me autokolonë, që u vendos në minutën e fundit, për të përshëndetur përkrahësit e tij jashtë dhe tani është kthyer në Suitën Presidenciale brenda spitalit Walter Reed,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere në një deklaratë.