Bota Trump fal ish-bashkëpunëtorët, mes tyre edhe babai i dhëndrit të tij

Trump fal ish-bashkëpunëtorët, mes tyre edhe babai i dhëndrit të tij

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump fali të mërkurën ish-kryetarin e fushatës së tij presidenciale Paul Manafort, bashkëpunëtorin e tij të besuar Roger Stone dhe Charles Kushner, babain e dhëndrit të tij, Jared, biznesmen pasurish të patundshme.

Manafort u dënua në 2018 në një hetim të pretenduar për ndërhyrje ruse në zgjedhjet e SHBA 2016. Më parë Trump kishte zbutur dënimin penal për zotin Stone, i cili u dënua se kishte gënjyer nën betim para ligjvënësve.

Kjo ishte vala e dytë e faljeve që Presidenti Trump ka bërë këto dy ditë dhe u bënë të ditura sapo zoti Trump arriti në Palm Beach të Floridës, për sezonin e festave.

Ata janë në mesin e 29 personave që do të përfitojnë nga amnistia e Trump përpara se ai të largohet nga detyra muajin tjetër.

Trump bëri të mërkurën 26 falje presidenciale dhe zbuti një pjesë ose anuloi pjesën e mbetur të dënimeve për tre persona të tjerë.

Me faljen presidenciale, republikani Manafort iu shmang një pjese të mirë të burgimit të tij prej 7 vjet e gjysmë. Ai ishte ndër të parët në rrethin e ngushtë të Trump që u përball me akuzat e ngritura nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller si pjesë e hetimit të tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Zoti Stone u dënua në nëntor 2019 nga një juri në Uashington se kishte gënjyer nën betim para ligjvënësve në hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Zoti Trump e ndryshoi dënimin e tij në korrik, një ditë para se zoti Stone të fillonte të vuante një dënim prej tre vjet e katër muajsh burg.

Kurse Kushner, babai i dhëndrit të Presidentit Trump Jared Kushner, u dënua me dy vjet burg pasi u deklarua fajtor në 2004 me 18 akuza për evazion fiskal, ndërhyrje tek dëshmitarët dhe dhurime të paligjshme fushate.

Personi që ndoqi penalisht Charles Kushnerin ishte Chris Christie (ish-prokuror në atë kohë), ish-guvernator i Nju Xhersit, i cili ka shërbyer gjithashtu si këshilltar i zotit Trump.

CNN citoi zotin Christie të thoshte se çështja e Charles Kushnerit ishte “një nga krimet më të neveritshme” që ai kishte ndjekur penalisht.