Bota Trump rinis fushatën, tubim me mijëra mbështetës në Florida: Jam imun, do...

Trump rinis fushatën, tubim me mijëra mbështetës në Florida: Jam imun, do t’iu jap një puthje të madhe

Presidenti amerikan, Donald Trump, i është rikthyer aktiviteteve elektorale më pak se dy javë pasi rezultoi pozitiv me Covid-19. Mijëra vetë u mblodhën në një tubim të zhvilluar në ambient të mbyllur në Sanford të Floridas, ku Trump bëri të parën e katër ndalesave të planfikuara përgjatë 4 ditëve në shtetet e lëkundura.

Florida është një prej fushëbetejave kryesore për sigurimin e 270 votave të Kolegjit Zgjedhor, të nevojshme për të siguruar Shtëpinë e Bardhë. Trump nxitoi të fitonte kohën e humbur, duke iu rikthyer sulmeve kundër rivalit Joe Biden. Para një turme prej mijëra mbështetësish, shumica e të cilëve pa maskë, ai denoncoi planet për zgjatjen e kufizimeve të mbështetura nga demokratët dhe vuri në dyshim inteligjencën e Biden.

Duke iu referuar shërimit nga Covid-19 ai tha: “Ata thanë se jam imun. Ndihem shumë i fuqishëm. Do të vij aty dhe do t’iu puth të gjithëve, do të puth djemtë dhe vajzat e bukura. Do t’iu jap një puthje të madhe”.

Kandidati demokrat, Joe Biden, foli nga Ohajo, një tjetër shtet i lëkundur. Në një sallë thuajse të boshatisur për shkak të koronavirusit, Biden kritikoi qasjen e Trump: “Presidenti Trump shkoi në Stanford, duke çuar atje asgjë tjetër përveçse sjelljes së papërgjegjshme, retorikës përçarëse dhe frikës”.

Presidenti amerikan pritet të intensifikojë përpjekjet gjatë këtyre javëve, ndërsa sondazhet sugjerojnë se Biden ka një avantazh prej 10 pikë përqindje në rang kombëtar.

Megjithatë, sondazhet sugjerojnë se në shtetet e lëkundura, që pritet të jenë vendimtare, avantazhi është më i ngushtë.