Bota Trump urdhëron ndërtimin e “Kopshtit të Heronjve Kombëtarë”

Trump urdhëron ndërtimin e “Kopshtit të Heronjve Kombëtarë”

Presidenti Donald Trump ka urdhëruar së fundmi, me anë të një dekreti, krijimin e një “Kopshti Kombëtar të Heronjve Amerikanë”, për të mbrojtur atë që ai e quan “historinë e madhe kombëtare” nga ata që vandalizojnë statujat.

Urdhri i tij ekzekutiv i jep Task Forces së re 60 ditë për të paraqitur planet, përfshirë këtu dhe vendndodhjen për ndërtimin e kopshtit.

Ai insiston se statujat e reja duhet të jenë sa më pranë jetës reale dhe jo abstrakte apo moderniste.

Një numër i statujave amerikane janë shembur që pas vrasjes nga policia të një afro-amerikani të paarmatosur në muajin maj.

Monumentet që kanë lidhje me Konfederatën skllavopronare gjatë Luftës Civile në Amerikë janë shënjestruar veçanërisht në protestat mbarëkombëtare të ndezura nga vdekja e Georg Floyd në Minneapolis.

Presidenti Trump ka mbrojtur simbolet e Konfederatës si një pjesë të trashëgimisë amerikane.

Në fjalimin e fundit për shënimin e  Ditës së Pavarësisë në malin “Rushmore”, ai dënoi protestuesit anti-racizëm për rrëzimin e statujave dhe paralajmëroi dënim të ashpër për personat përgjegjës.