Kryesore Tsipras, akuza opozitës: Pse na thoni të mos përmirësojmë marrëdhëniet me Shqipërinë?

Tsipras, akuza opozitës: Pse na thoni të mos përmirësojmë marrëdhëniet me Shqipërinë?

Votimi i protokollit të anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriut në parlamentin grek u parapri nga debat maratonë me tone të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës.

Kryeministri Tsipras akuzoi opozitën se nuk ka një qëndrim të qartë për politikën e jashtme me vendet fqinjë, por vetëm përpiqet të pengojë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Kreu i qeverisë i bëri apel shefit të opozitës Mitsotakis të jetë më serioz në lidhje me deklaratat e tij për diplomacinë.

“Partia Demokracia e re nuk pajtohet me asgjë. Na thoni mos përparoni negociatat për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, mos zhvilloni bisedime me Turqinë, mos vijoni zgjidhjen për çështjen maqedonase, mos lejoni anëtarësimin e këtij vendi në Bashkimin Europian. Nëse zoti Mitsotakis mbështet veton për zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit, ai nuk po vë në pikëpyetje vetëm një qëndrim kombëtar të Greqisë, por edhe një qëndrim të vazhdueshëm të Bashkimit Evropian”, deklaroi Tsipras.

Ndërkaq kreu i partisë opozitare Mitsotakis kërkoi menjëherë zgjedhje të parakohshme për të sjellë një katharsis politik sa më shpejt të jetë e mundur që sipas tij Greqisë i nevojitet.

“Në vend që të shkojë në zgjedhje, z. Tsipras përpiqet të mbajë të lidhur vendin pa legjitimitet politik. Greqia kurrë nuk ka kryer veprimet që po përjetojmë javët e fundit. Republika e Greqisë po jeton momente të tregtisë politike. Para syve tanë shohim shantazh”, tha Mitsotakis.

Pas votimit të protokollit të NATO-s, të Maqedonisë së Veriut në parlamentin grek, tashmë procedura duhet të vijojë me parlamentet e vendeve të tjera, ku Bullgaria ka deklaruar se do të procedojë javën e ardhshme.