Politika “Turp është të protestosh apo të bësh koncert”, Rama: As nuk e...

“Turp është të protestosh apo të bësh koncert”, Rama: As nuk e dija kush ishte Maluma

Kryeministri Edi Rama, në një takim me përfaqësues të biznesit të vogël, foli për reagimet që ka shkaktuar në rrjetet sociale koncerti i këngëtarit Maluma në Tiranë, mbrëmjen e së hënës.

“M’u qepën për Malumën mua. Nuk e dija deri dje se kush ishte Maluma. Thashë se mos ishte ndonjë epitet që i kanë ngjitur ndonjë ministri. Kur doli që ishte këngëtar. Jo, realisht nuk e dija. Sot thonin “turp është të protestosh apo të bësh koncertin e Malumës?”. Nëse mendohet se e kemi bërë ne koncertin, këtë nuk e kemi bërë ne! Në atë koncert nuk ka asnjë qindarkë nga shteti”, tha Rama.

“U bë kjo punë, që nuk guxon që të ndalojë ndonjë Maybach në derën e punës se ta vendosin që e ke ti. Mua më kanë vënë abazhurin, që e kanë sjellë italianët. E morën godinën, pasi e ndërtuan vetë për ta përdorur dhe që atëherë e kanë sjellë abazhurin. Ai abazhur ka qenë mbi kokën e të gjithë kryeministrave, por tani na doli se është abazhur floriri që e kam blerë unë sepse më kanë hutuar sheikët e Dubait dhe kanë dashur që ta bëj tavanin e zyrës si në Dubai”, shtoi kryeministri.