Aktualitet U kapën me një kg kokainë, gjykata lë në burg 62-vjeçarin dhe...

U kapën me një kg kokainë, gjykata lë në burg 62-vjeçarin dhe efektivin e RENEA-s

Arrest me burg ka dhënë këtë të hënë gjykata për Dedë Nimanin, 62-vjeçarin e arrestuar të premten nga policia e Tiranës së bashku me dy persona të tjerë, të cilët u kapën me 1 kilogramë kokainë.

Mes të arrestuarve ishte edhe efektivi i forcave RENEA, Xhulio Liçi. Për këtë të fundin gjykata vendosi arrest me burg për 35 ditë.

Ndërsa për 43-vjeçarin Luan Gaçi, gjykata vendosi arrest shtëpie.

Ndaj tyre është ngritur akuza “prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim”.

Ndërkaq, Dedë Nimani përmes një deklarate me shkrim u shpreh se e gjithë përgjegjësia për sasinë e drogës ishte e tij.

“Kam marrë si taksi një të njohurin tim që quhet Luan të cilit nuk i kam treguar arsyen e vërtetë dhe së bashku kemi shkuar deri në Plepa. Pasi e kam blerë drogën kam dalë në rrugë dhe që të mos bie në sy kam ecur në këmbë për një farë kohe derisa ka ardhur një makinë të cilës i kam bërë shenjë dhe ka ndaluar,” – thuhej në deklaratë.

Nimani u shpreh se me përgjegjësi të plotë penale, deklaronte mospërfshirjen as të Luanit Gaçit, as të efektivit të RENEA-s, Xhulio Liçit në blerjen dhe transportin e sasisë së kokainës.