Kryesore Rama: Nuk jeni në shtëpi se dua unë, një armik ka sulmuar...

Rama: Nuk jeni në shtëpi se dua unë, një armik ka sulmuar vendin tonë

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi, jo se do ai, por sepse vendi ndodhet në luftë përballë një armiku, siç është koronavirusi.

“Jemi në luftë! Nuk jeni në shtëpi se dua unë, po sepse ka një armik që ka sulmuar vendin tonë! Prandaj bëni secili luftën tuaj dhe bëni durim”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare sjell në vëmendje deklaratën e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron drejtuar qytetarëve të tij, ku tha se vendi është në luftë.

“O ju vëllezër e motra që bëni ca pyetje sikur po vuani nga dora e robit, jo nga dora e zotit! A do ta kuptoni edhe ju, siç e ka kuptuar shumica, se kjo është luftë e vërtetë dhe pyetja është: Po t’i shihnit avionët që ju bombardojnë mbi kokë dhe plagët që hapin, a do ti bënit ato lloj pyetjesh? Presidenti i Francës mbrëmë i tha pesë herë popullit të tij: Jemi në luftë”, shkruan Rama.

Në fund ai thotë që qeveria po bën gjithçka që mundet për të përballuar këtë situatë.

“Ne po bëjmë e do bëjmë gjithçka që është e mundur mbi këtë tokë, po nuk jemi zoti dhe nuk zgjidhim dot me magji probleme e halle që janë reale, por që janë pjesë e të qenit në luftë! Askush nuk do të bënte dot më shumë për ju, se sa po bëjmë dhe do të bëjmë deri në fund, unë dhe qeveria ime! Me mish e me shpirt”!