Sport UEFA dënon Manchester City-n: Dy vite jashtë Championsit

UEFA dënon Manchester City-n: Dy vite jashtë Championsit

E bujshme! UEFA ka dënuar Manchester City-n me dy vite përjashtim nga Champions League. “Qytetarët” janë dënuar dhe me 30 milionë euro gjobë nga institucioni më i madh në Europë.

Në vendimin e tij, organi më i lartë qeverisës i futbollit Europian, shkruan: “Duke marrë në konsideratë të gjitha provat, është zbuluar se Manchester City ka bërë shkelje serioze të rregullave të licencimit të klubit dhe shkelje të rregullave të Fair-playt financiar, duke mbivlerësuar të ardhurat nga sponsorët në informacionet e paraqitura midis viteve 2012-2016. Gjithashtu, klubi ka dështuar në bashkëpunimin për hetimin e çështjes.”

Një vendim i tillë përflitej prej kohësh në korridoret e kampionëve, por tani ka ardhur vendimi i formës së prerë që bën që kampionët e Anglisë të mbeten jashtë Europës për sezonin 2020-21 dhe 2021-22.

Një vendim i tillë mund të ulë shumë nivelin e klubit dhe City mund të përballet me një eksod lojtarësh. Trajneri Pep Guardiola pritet t’i japë fund aventurës me “Qytetarët” në fundin e këtij edicioni futbollistik.

Drejtuesit e City janë deklaruar të “zhgënjyer, por jo të befasuar nga vendimi”, që e cilësojnë si paragjykues. Vendimi i UEFA do të apelohet Arbitrazhin Sportiv (CAS) në Zvicër.