Aktualitet Ulqinaku: Doza e tretë nuk ka lidhje me Omicron. Çupi: Asnjë i...

Ulqinaku: Doza e tretë nuk ka lidhje me Omicron. Çupi: Asnjë i shtruar me variantin e ri

Nëndrejtori i Institutit të Shëndetit Publik Dritan Ulqinaku ka deklaruar se të gjithë shqiptarët që kanë bërë vaksina ruse apo kineze janë njësoj të mbrojtur si ata që kanë marrë Pfizer, duke theksuar se i vetmi dallim është çështja politike pasi disa vende nuk i njohin këto lloj vaksinash për udhëtime.

“Nuk dihet nëse doza e tretë të mbron nga variant i ri. Nuk ka lidhje me Omicron. Akoma studimet janë në fazat e para. Doza e tretë nuk është bërë për Omicron. Kjo është për këtë infeksion që rezulton në vendin tonë. Nuk ka ardhur asnjë vaksinë e pacertifikuar. Vaksinat janë të certifikuara nga OBSH. Shifrat tona nuk ka asnjë të dhënë që ata që kanë bërë Pfizer se ata që kanë bërë vaksinat kineze. Janë 500 mijë shqiptarë që kanë bërë vaksinat kineze apo ruse. Vaksinimi po ecën drejt. Është tjetër gjë nëse duhet të ishte bërë Pfizer për arsye emigrimi nëse duan të ikin në SHBA apo vende të tjera që kanë politikat e tyre. Por për arsye shëndetësore nuk e luan topi”, tha Ulqinaku në Publikisht në RTSH.

Ai u shpreh se doza e tretë e vaksinës rekomandohet e njëjta si dy dozat e para, me përjashtim të rasteve të veçanta me rekomandimin e mjekut të familjes.

Ulqinaku foli edhe në lidhje me rrezikun nga varianti i ri duke thënë se nuk dihet ende nëse ky variant ka ardhur në Shqipëri.

“Kanë ndryshuar parametrat, Ne mundohemi ta përgjithësojmë. Nuk e testojmë në mënyrë gjenetike si është Delta, Alpha apo Omicron. Ne mundohemi të themi se kush po qarkullon në Shqipëri. Nuk e dimë akoma nëse po qarkullon Delta apo Omicron. Kushdo që e fillon nga fillimi do bëjë dy doza. E treta është ose pas 6 muajsh ose pas një viti nëse do aplikohet në vitet e ardhshme. Ajo që ne garantojmë që jemi të gatshëm të operojmë në kushte të shpejta sepse kemi vaksina dhe kemi një rrjet shumë të mirë.

Për dozën e tretë rekomandohet të vazhdojë me të njëjtën vaksinë. Në rast se konstatohet se ka pasur komplikacion, mjeku mund të këshillojë që doza e tretë të vazhdojë me një vaksinë tjetër”, tha Ulqinaku.

Ndërkohë shumë shtete në Europë përfshirë edhe Gjermania kanë identifikuar raste me Omicron. Mjeku shqiptar në Gjermani Drilon Çupi në një lidhje emisionin Publikisht në RTSH tha se nuk ka asnjë pacient të shtruar me këtë variant dhe në përgjithësi të infektuarit janë individë që kanë udhëtuar nga vendet e Afrikës së Jugut për arsye pune ose turizmi.

“Siç e keni ndjekur edhe ju pas zgjedhjeve, koalicioni i ri ka në projektet e saj politika për rritjen e vaksinimit. Është një vështirësi sepse edhe në Gjermani ka skeptikë. Procesi i vaksinimit në landet e Gjermanisë lindore është shumë i ngadaltë dhe numri i shifrave është shumë i lartë. Edhe Gjermania është prekur nga Omicron nga pacient që kanë qenë në Afrikën e Jugut me pushime ose me marrëdhënie pune. Nuk ka asnjë pacient të shtruar me këtë variant në Gjermani. Akoma nuk ka hospitalizim të pacientëve me këtë variant. Në Afrikën e Jugut janë infektuar pacientë nën 60 vjeç”, tha Çupi.